Profil/“Profesori” i ISIS nga Elbasani që ngriti në këmbë Italinë

E mërkurë, 24 Prill 2019 14:12

“Bledar Ibrahimi ishte një djalë i ri vetëm njëzet vjeç që erdhi nga Shqipëria dhe përfundoi pothuajse rastësisht në Pozzo d’Adda, një qytet me gjashtë mijë banorë në kufi me krahinën e Bergamas”.

Kështu e nis shkimin e saj prestigjiozja italiane “Corriere Della Sera” e cila ka publikuar detaje mbi jetën e 28-vjeçarit Bledar Ibrahimi, i arrestuar një ditë më parë në Elbasan dhe i dëbuar nga Italia në 3 mars të 2016 me akuzën e përkrahjes së propagandës terroriste të Shtetit Islamik ISIS.


  • foto galeri

Në artikull tregohet se si arriti Bledar Ibrahimi të vendoste kontakte me luftëtarët e ISIS në territorin italian, në rajonin e Lombardisë.

“Islami fundamentalist e ka prekur atë përmes propagandës në internet. Kjo e bëri të mohonte origjinën dhe tokën e tij dhe të betohej në emër të Allahut dhe ushtrisë së Kalifatit. Bledari ndryshoi emrin dhe profilin e Facebook (Yahya Ibrahimi). Në postimet e tij ai shkruan se “Siria dhe Iraku” janë “për të gjithë muslimanët” dhe thërriste të “mbrojnë Allahun” për Kalifin e Bagdadit”,- thuhet ndër të tjera në shkrim.

“Profesori kishte nisur karrierën e studimeve fetare të certifikuara në Egjipt për ‘u bërë një imam radikal. Ishte transferuar në Kajro për të studiuar në një Universitet arab e për të mësuar bazat e fesë myslimane në një shkollë Kurani. Në të njëjtën periudhë në Egjipt ka jetuar dhe motra e tij, Rexhina 20 vjeç e bashkëshorti i saj italian nga Lombardia i konvertuar në mysliman me emrin Icaro Bilal Masseroli. Motra dhe burri i motrës së Bledar Ibrahimit janë dëbuar nga Egjipti të akuzuar për fondamentalizëm. Në fund të muajit shkurt të 2016 Bledar Ibrahimi rikthehet nga Egjipti në Itali duke kaluar përmes Frankfurtit ku qëndron dy ditë e më pas udhëton për 8 orë me autobus drejt Milanos. I sapo kthyer në vendin e rezidencës së tij në komunën Pozzo D’Adda, Bledar Ibrahimi ka kërkuar një kartë të re identiteti dhe pse ajo që zotëronte nuk i kishte skaduar ende. Në kartën e vjetër të identitetit Bledar Ibrahimi shfaqet me mjekër të gjatë ndërsa në momentin që ka kërkuar një kartë të re identitet është prezantuar pa mjekër”,- thuhet ndër të tjera në shkrim.

Shkimi vijon më tej: “Ibrahimi kishte lidhur miqësi me një pjesë të mirë të mbështetësve të ISIS në Lombardi si me Giulia Maria Sergio (lady xhihad italiane e martuar me shqiptarin Aldo Kubozi), me pakistanezin e sapo dëbuar nga Italia për terrorizëm, Aftab Farooq , me shqiptarin Idriz Elvis Elezi, me torinezin Halili El Mahdi, autori i dokumentit të parë të ISIS në gjuhën italiane. Ai po ashtu kishte krijuar lidhje me të afërmit e luftëtarit të ISIS nga provincia e Vareses, Oussama Khachia”.

Pasi është dëbuar nga Italia Bledari jetonte në Elbasan me gjyshërit e tij, pasi i është ndaluar të hyjë në territorin e Bashkimit Europian për 10 vite.

Por pse u kërkua ekstradimi i tij nga Shqipëria drejt Italisë? Corriere Della Sera shkruan se autoritetet italiane kanë rindërtuar çdo pjesë të “ushtrisë së xhihadistëve në Lombardi”, janë zbardhur të gjitha kontaktet telematike e telefonike mes personave të arrestuar, të dëbuar e luftëtar të ISIS dhe pikërisht nga gjithë këto prova bie në sy roli “superior” i Bledar Ibrahimit.

Login to post comments