Vijojnë reagimet sa i përket situatës në qytetin e Vlorës.
Qyteti bregdetar, që bëhet gati të presë turistët për sezonin veror, përmbytet sa herë ka reshje shiu.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe gazetari Dritan Kaba.
Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se, “Kush e sheh përmbytjen e Vlorës si paaftësi e ka gabim. Se paaftësia ndodh njëherë ose maksimumi dy”.
Ja çfarë shkruan Dritan Kaba:
RIPERMBYTJA, EKSPERIMENT PERVERS ME VLONJATET!
Kush e sheh përmbytjen e Vlorës si paaftësi e ka gabim. Se paaftësia ndodh njëherë ose maksimumi dy.
As papërgjegjshmëri.
As neglizhencë.
As akt korruptiv.
As tallje me premtimet.
Është eksperiment kriminal me vlonjatët. Për të parë sa mund të durojnë. Është akt perversiteti. Është një lojë e ndyrë me ta. Kënaqësia që ndjen Rama sa herë përmbytet Vlora është ajo e një diktatori. Ai thotë ja i ripërmbyta për të disatën herë rresht dhe këta rrinë e shpresojnë vetëm tek unë. Ai shkon deri aty sa mund t’i thotë vlonjatëve se përmbytja ndodh se ju nuk keni shkruar ankesën tuaj tek platforma “Për Shqipërinë që duam”. Mendja i shkon deri aty sa t’i thotë vlonjatëve, vetë e keni fajin pse nuk ankoheni. Ju jeni mësuar me ujin kështu që mos u qani. Asnjë nga ju nuk shqetësohet vetëm kazani bën rrëmujë. Ju bërtisni më pak se peshku, se unë bëj çdo gjë me ju. Ju përmbyt. Ju vë në radhë tek Lungomare. Ju marr tokat në bregdet me një ligj dhe ju nuk ndiheni. Unë kam të drejtë. Po pres tani t’i vendosë Vlorës për kryetar bashkie një kalë. Asgjë nuk është e pamundur.