Call-center “pirate” në Shqipëri zhvasin italianët, dëmtojnë konkurrencën

Saturday, 18 May 2019 16:53

Zyra të ndryshme call-center-i pirate në Shqipëri janë shndërruar në qendra për të realizuar mashtrime financiare ndaj qyterarëve të ndryshëm italianë.

Në një mungesë totale kontrolli nga autoritetet e anti-krimit ekonomik, këto zyra pirate janë shndërruar në një problem shumë të madh edhe për fqinjët tanë, italianët.

Disa të rinj shqiptarë, të cilët shtiren si “agjentë financiare” (brokers) britanikë apo amerikanë, kanë arritur t’u zhvasin italianëve të ndryshëm shuma që arrijnë deri në 10 mijë euro.

Skandali është zbuluar nga emisioni “Striscia la Notizia” në Canale 5. Në puntatën e të Hënës së kësaj jave, në emision është publikuar një investigim mbi skemën e përdorur nga call-center me seli në Shqipëri që mashtrojnë qytetarët italianë.

Emisioni ka marrë spunton nga shqetësimet e mbërritura nga publiku. ‘Stricsia” ka arritur të sigurojë dëshminë e një “agjenti financiar” fallso, një djalë të ri shqiptar, i cili është penduar për aktivitetin e tij në këtë skemë mashtruese.

“Unë kam qenë brokers në thonjëza, në një prej këtyre zyrave”-thotë djaloshi, i cili ka preferuar të mos identifikohet.

Ai ka vendosur të “pendohet”, pasi ka parë padrejtësi në aktivitetin që ka zhvilluar. Sipas tij, “ne telefononim qytetarë të ndryshëm italianë nga zyrat në Shqipëri dhe prezantoheshim si agjentë financiarë britanikë apo amerikanë”.

Më tej, ai thotë se kërkonin dhe siguronin klientë italianë, që ishin të interesuar për të realizuar tregti on-line ose për tregun e monedhave virtuale (bitcoin). Ka pasur shumë raste që i kanë bindur italianët për të kaluar paratë e tyre nëpërmjet kartave të kreditit në llogaritë bankare të drejtuesve të zyrës.

Por përse u “pendua” ky agjent financiar fals? “Nuk arrija ta bëja më atë punë. Kishte raste kur u kemi marrë paratë e fundit qytetarëve të ndryshëm italianë, para të cilat nuk u ktheheshin më pas”. Ishte një mashtrim i madh.

Emisioni “Striscia la Notizia” ka vendosur të kryejë një investigim më të thelluar në një prej këtyre “zyrave të agjentëve” në Tiranë.

Redaksia ka përdorur një “aktore” shqiptare, e cila paraqitet në një prej këtyre zyrave, ku prezantohet si punë-kërkuese.

“Aktorja” e emisionit takohet me drejtuesen e një prej këtyre zyrave dhe arrin të sigurojë pamje nga ambjentet e brendshme ku punonin “agjentëve fals”.

Drejtuesja e zyrës, në një komunikim të lirshëm me “aktoren” e Striscia la Notizia, flet me superlativa për rezultatet e punës së “brokersave”. Ajo përmend faktin se zyra e saj ka arritur të sigurojë shuma që arrijnë në 5 mijë deri në 10 mijë euro nga qytetarë italianë, të cilët janë të bindur se po investojnë në tregtinë online.

Më tej, në pamjet e publikuara nga emisioni, shihet mënyra se si “agjentët fallsë” shqiptarë sillen si “brokers” anglezë apo amerikanë, në kërkim të klientëve italianë për tregtinë në internet.

Investigimi i kryer nga “Striscia la Notizia” dëshmon për skema mashtruese financiare, të ngritura në Shqipëri, për të vjedhur para, pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë.

Në Shqipëri ekzistojnë disa zyra “call-center”, të regjistruara dhe që funksionojnë në bazë të rregullave të Bashkimit Europian. Por, numri i tyre është shumë i vogël.

Pjesa më e madhe e call-center-ave” me seli në Shqipëri janë zyra pirate, si kjo që ishte pjesë e investigimit të ‘Striscia la Notizia”, të cilat përdoren më së shumti për mashtrime financiare.

Emisioni është publikuar disa ditë më parë, ndërkohë që nuk ka asnjë reagim publik nga autoritetet shqiptare, përfshirë Anti-krimin Ekonomik dhe Prokurorinë, për të kryer verifikimet për rastin dhe të tjera të ngjashme me këtë.

Login to post comments