Gjyqi ndaj Shullazit/ KLGJ cakton gjyqtaren e tretë, ja cila do jetë në seancë

Tuesday, 21 May 2019 10:58

Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi dje gjyqtaren e tretë për gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë.

Kështu, në mbledhjen e djeshme, u caktua gjyqtarja Valdete Hoxha për të plotësuar Kolegjin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që kishte mbetur me dy anëtarë. Hoxha është gjyqtare në Apelin e Tiranës dhe do të jetë në trupën gjykuese të Krimeve në seancën e 23 majit. Gjyqi ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë, që prej 5 muajsh nuk ka nisur ende në Apel, ndërsa shkak janë bërë herë avokatët dhe herë mungesa e trupit gjykues. Kujtojmë se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Shkallës së Parë dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin dhe 11 vite burg për Gilmando Danin.

Endrit Qyqen dhe Endrit Zelën me nga 10 vite burg secilin dhe në fund, Gjykata dha 9 vite burg për Blerim Shullazin. Ky vendim u apelua nga të pandehurit që kërkojnë pafajësi nga Apeli. Ndërkohë, problemi i delegimit të një gjyqtari për plotësimin e trupit gjykues, u ngrit në seancën e radhës, por KLGJ sqaroi se kërkesa e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda është dorëzuar në datë 3 maj, ndërsa në plotësimin e formularit për kërkesën, shkalla e urgjencës është shënuar “normale”.

MBLEDHJA

Ndërkohë në mbledhjen e zhvilluar dje, KLGJ shqyrtoi dhe miratoi rregulla të hollësishme lidhur me kriteret dhe procedurat për dhënien nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor të lejeve të papaguara për të gjithë gjyqtarët që ushtrojnë funksionin si pjesë e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.

Më tej, duke mbajtur në konsideratë shqyrtimin e çështjeve brenda afateve të arsyeshme kohore, KLGJ vendosi të caktojë 91 gjyqtarë për gjykimin e 70 (shtatëdhjetë) çështjeve të akumuluara në gjykata, si pasojë e heqjes dorë nga gjyqtarë të caktuar, pranimit të kërkesave për përjashtim nga kryetarët e gjykatave, si dhe vendimmarrjet e mëparshme apo konfliktet e interesit.

Login to post comments