Ish-prokurori Petrit Fusha nën hetim

Tuesday, 21 May 2019 11:32

Ish-prokurori Petrit Fusha është vënë nën hetim, kjo pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar gjetjet e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Lidhur me këtë raport është vënë në dijeni dhe prokurorja e përgjithshme Arta Marku.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, raportin me rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ, për ish-prokurorin, z. Petrit Fusha, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me rastin, Komisioni ka vënë në dijeni edhe Prokuroren e Përgjithshme.”, njofton KPK.

Fusha është prokurori që mbylli çështjen e Ardit Gjoklajt, ku akuzohej dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.  Vëllai i tij Shkëlqim Fusha ka qenë një nga biznesmenët e favorizuar nga Bashkia e Tiranës, që i janë besuar disa projekte të rëndësishme infrastrukturore si Sheshi Skënderbej, apo Teatri i Ri, që vijon të mbetet pezull.

Kujtojmë se pak ditë përpara se t’i nënshtrohej procesit të Vetingut, Fusha dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, po kjo nuk e ka penguar KPK-në që të vijojë me procesin hetimor ndaj tij.

Mbetet për t’u parë tashmë se çfarë rrjedhe do të marrin hetimet ndaj Fushës, dhe a do të veprojë me nxitim Prokuroria e Krimeve të Rënda. /faxweb.al/

Login to post comments