Shkollat e larta shpallin listat e fituesve një javë para regjistrimeve. Fakulteti i Ekonomisë, i Drejtësisë, ai i Shkencave Sociale dhe Gjuhët e Huaja i kanë dhënë fund ankthit të kandidatëve aplikues.
4 dekanët informuan se listat emërore do të jenë në faqet e fakulteteve deri në fund të gushtit, ndërsa në 2 shtator nisin regjistrimet për raundin e parë. Ajo që bie në sy edhe këtë vit është mesatarja e lartë e kandidatëve që kanë zgjedhur Ekonominë dhe Drejtësinë.
Për herë të parë, në degët e ekonomisë leksionet do të zhvillohen edhe në gjuhën angleze, ndërsa Fakulteti i Drejtësisë këtë vit nis aplikimin e sistemit 5-vjeçar.
Nëse në Ekonomi dhe Drejtësi nota mestare e fituesve i afrohet 10-s absolute, në degët e Shkencave Sociale dhe Gjuhët e Huaja kandidatët janë me mesatare mbi 7,5. Drejtuesit e katër fakulteteve konfirmuan se edhe vitin e ri akademik tarifa e shkollimit do të jetë e përgjysmuar për studentët dhe vlera e zbritur do të mbulohet nga qeveria.