Pas denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Tiranës lidhur me çështjen e Arbjan Maznikut.
Selia blu pretendon se Mazniku në cilësinë e funksionarit të administratës publike ka përfituar në mënyrë të parregullt dhurata.
"Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro. Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit" ka denoncuar PD.
Në shkresë, Prokuroria e Përgjithshme kërkon informacion nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me trajtimin e materialit prej saj, pa cënuar sekretin hetimor.