Policia e Beratit ka bllokuar sot të gjitha rrugët që të çojnë drejt Malit të Tomorrit. Prej disa orësh, kamionët e firmave të gurit por edhe dhjetra makina të qytetarëve dhe turistëve të drejtuar për në Teqenë e Kulmakut, janë bllokuar në aksin Novaj-Tomorr dhe askush nga Policia nuk jep shpjegim për situatën e krijuar.
Rreth 130 forca policie janë të shpërndara në të gjithë malin, në 8 pika strategjike, pikërisht në akset: Dobrush-Mali i Dobrushës, Bogovë- Selan, Bogovë-Novaj, Pronovik -Novaj dhe Novaj-Rrasë e Novajt.
Pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit - edhe pse kanë një muaj e gjysëm që kanë fituar gjyqin me qeverinë, VKM e së cilës për shpalljen e malit të Tomorrit "Park kombëtar" u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë - vazhdojnë të pengohen nga Policia për të vijuar punën.
Pronarët e firmave akuzojnë Ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, duke deklaruar se në mal po punon vetëm gurorja që ai ka në pronësi me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj.
Ata deklarojnë se mali i Tomorrit është blinduar nga forca të shumta të policisë së Beratit, Skraparit e Poliçanit, 5 furgona të FNSH-së, forcat Shqiponja, efektivë të Qarkullimit Rrugor dhe të Krimit Ekonomik.
Firmat janë konfliktuar edhe sot verbalisht me policinë,duke u kërkuar urdhrin me shkrim se përse po bllokohen kamionët të punojnë në Novaj.