I shpëtoi atentatit ku u vra halla e tij, si u lirua nga burgu Marklen Haka

Tuesday, 24 September 2019 15:49

Marklen Haka, 28- vjeçari që i shpëtoi atentatit me 100 plumba mbrëmjen e së shtunës, gjatë të cilit mbeti e vrarë halla e tij, kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu.

marklen-haka

Grupi hetimor ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, ndërsa nuk ka dyshime se objektivi ishte Marklen Haka, ndonëse nga të shtënat humbi jetën 50-vjeçarja Shpresa Basha. Haka aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën, por deri tani nuk ka dhënë ndonjë dëshmi të vlefshme për grupin hetimor. Duke qenë para kësaj situate, hetuesit po verifikojnë precedentët e mëparshëm të tij, ngjarjet për të cilat ai ka qenë i dyshuar, që në fakt nuk i janë faktuar asnjëherë.

Marklen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes. Ndërsa më vonë është ndaluar si i dyshuar për një atentat me eksploziv. Herën e fundit që ai provoi qelinë, u akuzua për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 1 vit heqje lire. Dënimin e përfundoi në korrik të këtij viti. E dy muaj pasi fitoi lirinë, i shpëtoi mrekullisht një atentati, ndonëse drejt tij u qëllua afro 100 herë.

Viktima, Shpresa Basha
Viktima, Shpresa Basha

ARRESTIMI PER VRASJE

Marklen Haka u arrestua për herë të parë më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zeneli, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. Gjykata e Tiranës, dy ditë më vonë, pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për 20- vjeçarin e akuzuar për “Vrasje me paramendim dhe plagosjes në rrethana të cilësuara”.

Në aktakuzën e paraqitur para gjyqtarit, prokurori shprehej se procedimi penal për Marklen Hakën kishte nisur pas deklarimeve të dëshmitarëve në vendin e ngjarjes. “Nga dëshmitarët pranë vendit të ngjarjes janë marrë karakteristikat e autorit”, tha prokurori. Po sipas tij, është bërë një ballafaqim për njohje mes dy dëshmitarëve okulare, të cilët kanë identifikuar Marklenin si autor të ngjarjes. I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Marklen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes.

“Më ka marrë Policia më datë 14 qershor. I thanë nja dy vajzave aty: ‘A është ky ai personi?’. Ato thanë: ‘Jo, se ai (autori) kishte mjekër’. Tani s’e di unë, jam dakord me çfarë tha avokati dhe nuk kam gjë për të shtuar”, u shpreh Haka gjatë seancës 8 vite më parë. Grupi hetimor kishte dyshime se ekzekutimi i Nadien Zelelit me armë zjarri në distancë të afërt, mbrëmjen e 13 qershorit 2011, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, se ka për motiv hakmarrjen.

Të paktën kështu u shpreh zyrtarisht Policia e Tiranës pas arrestimit të Marklen Hakës. “Vrasja e shtetasit Nadien Zeneli dyshohet të jetë bërë për motive gjakmarrjeje, pasi viktima dyshohej nga familja e shtetasit Marklen Haka si autor i vrasjes së shtetasit Roland Lutfi Haka, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 në Krujë”, shprehej në atë kohë Policia e Tiranës. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.

1

NDALIMI PER ATENTATIN ME EKSPLOZIV

Më 20 dhjetor të vitit 2016, Policia e Krujës ndaloi 9 persona dhe një tjetër e shpalli në kërkim në lidhje me atentatin me eksploziv ndaj Edmond (Gentjan) Bejtjas, më 19 shtator 2016. Sipas Prokurorisë së Krujës, te këta persona ishte arritur pas një hetimi 3-mujor pro aktiv. Një nga personat e ndaluar për këtë ngjarje ishte edhe Marklen Haka. Edmond Bejtja ishte duke udhëtuar me mjetin e tij në momentin kur ka shpërthyer eksplozivi dhe ai mori për fat vetëm plagë të lehta. Ai është dëshmitari i fundit që është gjallë, si autor i dyshuar për vjedhjen e makinës që u përdor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ishte liruar para një viti nga Gjykata, ku në një proces gjykimi akuzohej së bashku me Enver Stafukën për vjedhjen e makinës, e cila u përdor nga personat që ekzekutuan Dritan Lamajn.

OPERACIONI NE NIKEL

Fshati problematik i Krujës, Nikla, më 12 shtator të vitit të kaluar, u zgjua i rrethuar nga blindat e snajperët e forcave speciale RENEA, FNSH, si dhe dhjetëra oficerë të Policisë së Shtetit. Pas operacionit që zhvilloi në Shkodër, Policia shënjestroi Niklën, që për nga situata kriminale, i ngjante Lazaratit të dikurshëm. Objektiv i aksionit të nisur në orët e para të mëngjesit kanë qenë personat me precedentë penalë, kontrollet për armë, eksploziv e drogë, për të cilat ishin siguruar më parë mandatet nga Gjykata. U shoqëruan dhjetëra persona, por vetëm 4 u arrestuan, mes të cilëve edhe Marklen Haka e babai i tij. Me një vendim të datës 9 prill të këtij viti, Gjykata e Krujës e dënoi Marklen Hakën me 1 vit e gjysmë burg, por me gjykim të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Dënim që e përfundoi në korrik të këtij viti.

PRECEDENTET

1. Më 29 qershor 2011, Marklen Haka arrestohet nga Policia e Tiranës si autori kryesor i dyshuar për vrasjen e dibranit Nadien Zeneli dhe plagosjen e dy personave të tjerë. Sipas Policisë, Haka u dyshua se kishte kryer ekzekutimin e Zenelit, si hakmarrje për vrasjen e të vëllait, Roland Haka, ngjarje e ndodhur në vitin 2004. Megjithatë, edhe pse u hetua për afro 5 vite në lidhje me këtë ngjarje, Policia dhe Prokuroria nuk arritën t’ia faktonin.

2. Më 20 dhjetor 2016, Marklen Haka ndalohet nga Policia e Krujës bashkë me 8 persona të tjerë, si të dyshuar për atentatin me eksploziv në makinë ndaj Gentjan (Edmond Bejtja), i cili fatmirësisht shpëtoi me disa plagë të lehta, më 19 shtator të atij viti.

3. Më 12 shtator 2018, Merklen Haka arrestohet bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie.

Login to post comments