Policia ka arrestuar një 51-vjeçar që qëlloi në ajër me armë zjarr pranë magazinës së tij në Patos.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të martës. Pasi dëgjuan të shtënat me armë, banorët njoftuan policinë që shkoi në vendngjarje dhe arrestoi shtetasin me iniciale 51 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të policisë në magazinën e tij u gjet 1 armë zjarri pushkë dhe 3 krehëra me fishekë.
"Shërbimet e Policisë pas telefonatës së marrë se në orët e vona të mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit A.B., 51 vjeç, banues në Fier,"-raportoi policia.
Njoftimi i plotë:
Patos, Fier
Qëlloi në ajër me armë zjarri, identifikohet dhe vihet në pranga nga Policia
Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën kishte qëlluar në ajër, si dhe një sasi fishekësh luftarakë.
Shërbimet e Policisë pas telefonatës së marrë në numrin 112 se në Grizë, Patos, në orët e vona të mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta, bazuar dhe në informacionin e marrë nga banorët, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit A.B., 51 vjeç, banues në Fier.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në ajër me armë zjarri, pranë magazinës së tij. Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhe 3 krehëra me fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe "Prishja e qetësisë publike".