Ngjarja e rëndë që ka ndodhur sot herët në mëngjes kur në mes të Lushnjës u ekzekutua i riu 35-vjeçar, Besmir Hida, baba i dy fëmijëve, biznesmen, ka tronditur të gjithë. Ai u vra me kallashnikov teksa pinte kafe në një lokal në lagjen “Skënder Libohova”. Është e njëjta skemë krimi që mban nën terror Lushnjën gjatë këtyre 3 viteve, kur ndodhi edhe vrasja e nipit të Hidës, më 11 tetor 2017 në atë që njihet si “masakra e Lushnjës”. Pa u mbyllur kjo ngjarje në mesditë një tjetër krim i rëndë ka tronditur sot vendin. Dy vëllezër janë zënë me njëri tjetrin në Xibër të Matit. Si pasojë e ngjarjes, njëri nga vëllezërit ka qëlluar dhe vrarë vëllanë e tij. Gjithashtu dyshohet edhe për persona të tjerë të plagosur. Burimet thanë se krimi ka ndodhur për motive pronësie. Situata është alarmante.
Sipas medias, para se ta ekzekutonin, Besmir Hidën në Lushnjë, kriminelët i vendosen eksploziv në banesë, atij, për ta detyruar që të largohej bashkë me familjen, jashtë vendit. “Por ai, besoi te drejtësia dhe ky shtetit, por sot është viktima e radhës, e një grupi të organizuar kriminal me lidhje shume të forta, që po mban nën kontroll me dore të hekurt, qytetin agrobujqesor më të rëndësishëm, në vend”, shkruante gazetari A. Hoxha. Nuk ka javë që të mos ndodhi një krim, një vrasje e bujshme, një atentat apo një tentativë. Situata në vend është kriminale dhe e pasigurt. Sikur të mos mjaftonte trafiku i drogës e kokainës, tani edhe vrasjet dhe kërcënimet janë mjaft të shpeshta. Para disa ditësh policia e Pogradecit njoftoi se kishte arrestuar dy të rinj nga Pogradeci dyshohen se kanë plagosur me sende të forta një 21-vjeçar dhe i kanë thyer xhamat e makinës. Policia njoftoi se autorët ishin identifikuar, njëri i arrestuar e tjetri në kërkim dhe po hetoheshin për akte të tjera kriminale. Kjo nuk ishte ngjarja e vetme kriminale në këtë rreth. Pak ditë më parë u godit me sende të forta dhe u rrah në mes të rrugës “Gani Homçani”, Andreas Metushi, i cili përfundoi në spital nga plagët e marra. Madje ata e kanë kërcënuar me jetë dhe sipas Metushit ky akt kriminal ka lidhje edhe me aktivitetin e tij politik, si kryetar i degës së Partisë Emigracionit Shqiptar në këtë rreth. Ende policia nuk ka një version të saj për këtë ngjarje, ndërsa ka kryer disa verifikime. Situata në vend nuk është e qetë dhe gjithçka flet për një gjendje jashtë kontrollit, ku krimi dhe pasiguria i kanë detyruar qytetarët që të gjejnë diku tjetër mbrojtje për të shpëtuar jetën e tyre. Ndonëse fatkeq rasti i Besmir Hidës, i cili u kërcënua dhe u paralajmërua për t’u larguar nga vendi, por ai zgjodhi Shqipërinë, se kishte besim te drejtësia, kjo drejtësi që e vrau sot herët në mëngjes, me disa plumba kallashnikovi.