Jeni pronarë tokash bujqësore dhe bregdetare? Lajm i keq: qeveria po përgatitet t’ju rrëmbejë pronat. Nën justifikimin e zhvillimit, turizmit dhe nxitjes së investimeve private, qeveria pa asnjë listë transparente pronash, pa projekte dhe plan konkret, pa llogaritur titujt e pronësisë, pa marrë në konsideratë të drejtat e pronarëve dhe pa bërë publike mënyrën e prokurimit do u marrë shqiptarëve pronat me njëVendim të Këshillit të Ministrave i cili pritet të miratohet së shpejti dhe do ua japë një grupi biznesmenësh oligarkë pranë qeverisë.
Kjo iniciativë korruptive shkel të drejtat e njeriut. Nuk përfshin përcaktime për titujt e pronave bujqësore dhe për të nuk janë zhvilluar aspak konsultime publike me të gjitha palët e interesuara.
E gjitha kjo do kryhet përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve e cila është një plan vjedhje korruptiv i tokës së shqiptarëve. Një iniciativë e errët nga Edi Rama dhe qeveria e tij për t’i rrëmbyer tokat shqiptarëve dhe për t’ua shërbyer një grupi të vogël biznesmenësh të afërt me Kryeministrin.
Ky institucion përfaqëson kanalizimin e çdo prone private dhe publike të qytetarëve shqiptarë që të shkojnë në duart e kryeministrit Rama. Kjo do të thotë që tokat e pronarëve të zakonshëm, por edhe të minoritetit grek në Himarë, Vlorë dhe Sarandë do të merren nga kryeministri Rama apo oligarkëve pranë tij.
Marrja me dhunë e tokës të qytetarëve të zakonshëm dhe transferimi i pronësisë tek disa investitorë shkel të drejtat e njeriut për gjithë pronarët e tokave në Shqipëri. Kjo është një vjedhje e hapur e kryer nga vetë shteti. Mediat ndërkombëtare dhe institucionet e huaja e kanë denoncuar vazhdimisht këtë çështje kaq korruptive e cila prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat themeltare të njeriut dhe sidomos atë të pronës.
Pavarësisht se të gjitha institucionet ndërkombëtare FMN, Banka Botërore, Këshilli i Europës dhe Departamenti i Shtetit kanë kritikuar ligjin e Korporatës së Investimeve, Edi Rama ka vendosur të vazhdojë me planin e tij dhe të shkelë të drejtën e pronës së shumë qytetarëve shqiptarë.
Duket që kjo iniciativë kryhet qartësisht për pastrimin parash. Me këtë Korporatë qeveria e Ramës do të kthehet në “de facto”, oligarkja e vetme në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe partneri më i madh i disa oligarkëve.
Korporata e Investimeve Shqiptare mbahet qëllimisht nën mjegullën qeveritare. Ministria e Financave është pa listë pronash dhe projektesh.
Ministria e Financave vazhdon të mos japë shpjegime mbi pronat dhe projektet që do të zhvillojë Korporata e Investimeve, drafti i së cilës u miratua javën e kaluar nen për nen mes debatesh në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Vetë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë u shprehën se nuk e kanë kuptuar mirë kush është fokusi real i korporatës dhe kush janë pronat konkrete që mund të zhvillojë. Si mund të miratohet një ligj kaq i errët kur vetë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë nuk e kanë të qartë? E gjitha po bëhet qëllimisht fshehurazi dhe në mënyrë të mjegullt për opinionin publik. “Do të trajtohet më vonë edhe VKM-ja që do të nxirret për këtë qëllim. Do të dalë dhe lista që do të kalojë në përdorim të korporatës”, shpjegoi Elton Haxhi, zv/ministër i Financave dhe Ekonomisë duke përforëcuar kështu planin e Kryeministrit që përmes VKM-ve të rrëmbejë pronat e shqiptarëve dhe t’ua japë një grupi të ngushtë oligarkësh.
Aksioneri kryesor i Korporatës mendohet të jetë shteti me një kapital fillestar prej 3 milionë euro, por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen t’i bashkohen edhe aksionerë të tjerë dhe këtu përfshihen sigurisht oligarkët e njohur të cilët janë bashkë-hartuesit e këtij plani me Kryeministrin për të zaptuar tokat më të bukura të vendit e sidomos të bregdetit shqiptar.
Pra shumë shpejt pronat private mund të merren nga Korporata e Investimeve Shqiptare dhe më pas t’u jepen oligarkëve të Ramës. Dhe shqiptarët mbeten thjesht të zhvatur dhe të dhunuar në të drejtën e tyre të pronësisë.
Kjo vjedhje kolosale ndaj pronave dhe ky mega-skandal i heshtur miliarda eurosh po fshihet pas zhurmës së krizës politike. Në vend që çështja e pronave të zgjidhet një herë e përgjithmonë po ndodh e kundërta, shteti po vjedh qytetarët e tij dhe kjo është vjedhja më e madhe e tridhjetë viteve të fundit.