Gjetja e 39 emigrantëve të vdekur brenda një kamioni në Britani të Madhe, ka shkaktuar jo pak tronditje. Të gjithë emigrantët ishin shtetas kinezë që do të hynin në Angli ilegalisht. Për futjen e tyre në shtetin ishullor, kontrabandistët kishin përdorur një kamion frigoriferik.
Kjo është dhe arsyeja përse skanerat në porte nuk kishin zbuluar ekzistencën e emigrantëve brenda rimorkios. Kamioni mbërriti në portin Porfleet të Britanisë nga Belgjika. Në të dy portet ka kamera termike, por ato përdoren vetëm për kamionë që nuk janë frigoriferikë.
Një zyrtar i sigurisë britanike tha për “Daily Mail” se kamerat termike nuk funksionojnë për kamionët frigoriferikë për shkak të temperaturës së ulët dhe është e pamundur që të perceptojë nëse ka njerëz të fshehur brenda. Sipas të njëjtit zyrtar që ka folur në kushtet e anonimatit, banda që kontrabandoi 39 shtetasit kinezë, duhet ta ketë ditur këtë fakt dhe për këtë arsye ka përdorur kamion frigoriferik.
“Kontrabandistët duhet ta kenë ditur këtë gjë. Ata po na tregojnë se sa të aftë janë. Vazhdimisht janë në kërkim të këtyre metodave, që kësaj radhe fatkeqësisht përfundoi me humbjen e jetëve të të gjithë emigrantëve”, tha zyrtari britanik.
Një tjetër punonjës i sigurisë në port ka thënë se këta emigrantë nuk kishin asnjë mundësi mbijetese. Është nëse frigoriferi do të ishte i fikur, trajleri është hermetik dhe kushdo që qëndron brenda për një kohë të gjatë asfiksohet për shkak të mungesës së ajrit.
Dy kontrollorët e sigurisë në portin e Porfleet në Britani të Madhe pohuan se është e pamundur të kontrollohet çdo kamion, por bëhen kontrolle të rastësishme. Ata deklaruan gjithashtu se kamionët frigoriferikë hapen rrallë për inspektim në port, për shkak se mund të dëmtohen mallrat që ndodhen brenda.
Trupat e pajetë të 39 emigrantëve kinezë u zbuluan të mërkurën në zonën industriale të Essex, Britani, aty ku ishte i parkuar kamioni. Policia ka arrestuar shoferin 25-vjeçar, ndërsa hetimet intensive po vijojnë.