Nga Qemail Qejku
Tjetër REAGIM nga brenda sistemit arsimor, mësuesi bën publike se çfarë ndodh sot me drejtorët e shkollave, si ata menaxhojnë ditën normale të mësimit, si përdorin ata fondet e shkollave, sa kohë merren ata me funksionet e drejtorit dhe sa me “menaxhimin” e punëve si llogaritar i fondeve dhe shpenzeve. Më poshtë është reagimi i mësuesit në një nga shkollat e Kamzës:
Drejtorët e shkollave si menaxherë të "mirë"të fondeve te shkollës.
Duke marrë shkak nga një emision investigativ i para disa ditëve kisha dëshirë të shkruaja disa rrjeshta për këta të ashtuquajtur drejtorë.
Drejtoresha e fshatit Vidhas në Elbasan nuk dinte të lidhte dy fjalë kjo një sëmundje në formë epidemie për pjellën e rilindjes.
Them epidemi e sëmundje ngjitëse se asnjë nga këta drejtorucët nuk di të lidhë dy fjalë, por menaxhojnë mirë ose shumë mirë fondet e shkollave që drejtojnë duke përvetësuar çdo lek bordi me fatura super të fryra ku një portollampë kushton 1000 lek të reja (nga 100 lek qe kushton realisht) e ku një metër katëror lyerje në shkollë shkon 200 lekë të reja (nga 80 lekë).
Këta drejtorucët që krekosen nëpër dreka e gosti si biznesmenë nuk janë të zotët t'i përgjigjen qoftë edhe një pyetjeje që ka të bëjë me procesin mësimor, por janë të përkryer në matematikë për të llogaritur lekët e bordit e për të zgjedhur vetë me dorën e tyre anëtarët e bordit që t'i kenë si marioneta për të bërë fondet rrush e kumbulla sipas qejfit që në të vertetë nuk duhet as t'i prekin me dorë.
Për të mos përmendur këtu që nuk dinë asnjë pikë të Dispozitave Normative (as nenin për fondet e shkollës), por rrinë e mbajnë ligjërime si dijetarë të mëdhenj. Po të ju shkosh në zyrë për ndonjë hall ose diskutim që në arsim nuk janë të pakëta, nuk të presin dot se kohën e kanë flori, i presin njerëzit vetëm kur temë bisede është ndonjë pazarllëk. E ç'të thuash për këta drejtorucët që si e gjithë rilindja vetëm për fasadë mendojnë.
Rrofshin drejtorucët e rilindjes.