Koreja e Veriut ka hedhur dy raketa, ndoshta balistike, drejt detit në bregun e saj lindor. Njoftimi u bë nga Koreja e Jugut dhe Japonia.
Koreja e Veriut ka shtuar rishtazi presionin, ndërkohë që po afrohet afati që i ka caktuar Shteteve të Bashkuara për të ndryshuar përqasjen ndaj bisedimeve të ngecura bërthamore. Këtë javë, Koreja e Veriut paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se "do të gabohen rëndë" nëse nuk i kushtojnë rëndësi afatit.
Nuk dihen shumë detaje për raketat më të fundit. Ushtria koreano-jugore tha se raketat u hodhën nga pronvica e Pyonganit Jugor, e ndodhur në pjesën qendrore të vendit. Zyrtarët japonezë thanë se raketat ka mundësi të jenë të llojit balistik dhe se ato ranë në det, por pa hyrë në zonën ekskluzive ekonomike japoneze, që shtrihet deri në 370 kilometra nga bregu.