S'ka qetësi për Korçën, regjistrohen dy lëkundje tërmeti

Saturday, 02 November 2019 19:56

Një tjetër tërmet ka goditur qytetin juglindor të Korçës. Lëkundjet e fundit u regjistruan me magnitudë 2.7.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), tërmeti kishte epiqendër në Ziçisht, 10 kilometra nga Bilishti, ndërsa thellësia ishte 17 kilometër.

termeti

Këto lëkundje pasojnë goditjen e fortë të mëngjesit të djeshëm me magnitudë 5.2 i shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte 3 km në verilindje të Miras dhe 11 km në Juglindje të Korçës.

Qyteti i Korçës u prek nga tërmete të fuqishme gjatë muajit qershor. Për pasojë, Emergjencat Civile njoftonin se 100 shtëpi, nga të cilat 50 të vjetra dhe të pabanuara, ishin dëmtuar. Fshatrat më të prekur në bilancin e dëmeve, rezultonin Floqi, Dvorani, Qafëzeza dhe Vidohova.

Ndërkaq, të shtunën e 21 shtatorit, vendi ynë u trondit nga tri tërmete të fuqishme, mes të cilëve njëri ka qenë me magnitudë 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë, i lokalizuar 30 km në veri të qytetit të Durrësit. Sipas IGJEUM-it, ky ishtetërmeti  më i forti i shënuar në vend në harkun e 20-30 vjetëve të fundit. Tërmetet shkaktuan dëme të mëdha materiale, si dhe mbi 105 të plagosur.

Modifikuar më Saturday, 02 November 2019 20:21
Login to post comments