Qeveria kursehet në investimet publike, rrudh dorën në paga e pensione dhe kompensime

Premte, 22 November 2019 08:09

Qeveria shqiptare gjithnjë e më pak po u kthen qytetarëve si investime në rrugë, shkolla, ujësjellës, qendra shëndetësore etj nga taksat që paguajnë në buxhetin e shtetit. Teksa të ardhurat buxhetorë nga viti në vit pësojnë rritje, zëri i investime vjen në ulje.

Përgjatë 10 mujorit të këtij viti qeveria planifikoi të investonte 53.8 miliardë lekë, por përdori vetëm 47 miliardë lekë ose 6.8 miliardë lekë (55 milionë euro) më pak, sipas statistikave fiskale pwr 10 mujorin. Realizimi i planit të shpenzimeve kapitale për 10 mujorin ishte vetëm 87.3%, ndërkohë që zëri i shpenzimeve korente realizohet gati 100%.

Gjatë 10 -mujorit 2019, fondet e alokuara nga buxheti i shtetit për investime ishin 6 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Në krahun e shpenzimeve, investimet kapitale ishin zëri me përformancën me te keqe. Llogaritë e qeverise tregojnë se, dy muaj nga mbyllja e vitit është shpenzuar vetëm 53.8 për qind të programit vjetor të investimeve publike ose gjysma e parashikimit.

Tentativa për të konsumuar pjesën e mbetur të fondeve ne muajt e mbetur vë në diskutim eficiencën e tyre.

Zëri i investimeve publike bashke me rrogat dhe pensionet vlerësohen si përfitime direkte që qytetarët marrin nga taksat që paguajnë. Pjesa tjetër e shpenzimeve shkon për të mbajtur në këmbë aparatin shtetëror, pagesat e borxhit. Por qeveria dhe institucionet e saj që në vend që të administrojnë me përgjegjësi taksat, po i shpërndajnë ato në koncesione dhe zëra pa rendiment në mirëqenien e përgjithshme.

Për shembull shpenzimet korrente të cilat janë zëri më i madh buxhetor që mbulon kryesisht pagesat për borxhin publik, pagat e personelit dhe shpenzime operative pati një përformancë të mirë realizimi për periudhën në fjalë me 99.2 për qind të planifikimit.

Tek shpenzimet korente shihet se pagesat për pagat e administratës publike u realizuan mbi 98 për qind, por fondet për arsimin e lartë që u morën nga tarifat e studentëve u realizuan vetëm 61% për periudhën 10 mujore.

Gjithashtu edhe nënzëri tjetër i shpenzimeve korrente, “Operative dhe Mirëmbajtje shënoi një realizim të kënaqshëm me gati 98 për qind e planit të 10 mujorit, ose 36 miliardë lekë të shpenzuara nga 36,9 që ishte plani i periudhës.

Pas investimeve kapitale qeveria ka kursyer tek rritja e pensioneve. Të dhënat tregojnë se janë kursyer gjatë 10 mujorit 843 milionë lekë të planifikuara për indeksimin e pensioneve këtë vit.

Gjatë 10 mujorit janë kursyer edhe 869 milionë lekë për kompensimin e pronarëve.

Tejkalim të shpenzimeve publike pati në fondet për pushtetit vendor, të cilat për shkak të zgjedhjeve lokale të këtij viti, u tejkaluan me 1.8 % më shumë se plani i 10 mujorit.

Siç argumentuan ekspertet nga Ministria e Financave, investimet publike janë rubineti që rregullon mangësitë në grumbullimin e të ardhurave. Kur qeveria nuk mund të realizoje planin e arkëtimeve e ve gërshërën kryesisht në investimet publike, dhe fondet për shtresat sociale në nevojë se ndihma sociale, dhe kompensimet për ish të përndjekurit dhe ish pronarët.

Në fund të 10 mujorit 2019 Ministria e Financave raporton se ka arkëtuar 7.8 miliardë lekë ose 63 milionë euro më pak se plani. Siç shihet gati 80 për qind e mosrealizimit është akomoduar duke shkurtuar shpenzimet kapitale.

Mirëpo heqja dorë nga angazhimi për të përmbushur synimet për investimet kapitale, përveç se do të krijojë një efekt negativ në rritjen ekonomike të vendit, bëhet shkak për deformime fiskale në periudhat e mëvonshme. Për shkak se entet publike buxhetore planifikojnë dhe kontraktojnë punime me buxhetin e fillmvitit.  Ndaj çdo shkurtim i buxhetin në zërin e investime gjeneron automatikisht detyrime të prapambetura.

Si rezultat i kësaj situate Ministria e infrastrukturës ka raportuar se detyrimet e prapambetura kanë arritur në 3.6 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit të parë 2019, ndërsa KLSH në raportin e auditimit të vitit 2018 pohon se detyrimet e prapambetura janë në vlera më të larta se sa raporton qeveria.

Shpenzimet publike për 10 mujorin ishin 10,5 miliardë lekë më te ulta ose 2.7% me pak se plani i 10 mujorit prej 399 miliardë lekësh.

Nga ky mosrealizim, me shumë 80 për qind ose rreth 8 miliardë lekë e tij i faturohet uljes së shpenzimeve për investime, rritje pensionesh, investime në arsimin e lartë dhe pagesa për ish të përndjekurit dhe ish pronarët.

Megjithë dobësitë në shpenzime qeveria mbajti nën kontroll deficitin buxhetor, duke krijuar vetëm 5,6 miliardë lekë borxh të ri nga 8,4 miliardë që ishte plani i dhjetëmujorit me një realizim 67.8 %./MONITOR

Login to post comments