Me Ismail Qemalin në Vlorë ishte tetovari Mehmet Pashë Dëralla

Diel, 24 November 2019 16:52

Nga Ismail ARSLLANI

 Familja e njohur patriotike Deralla, për disa shekuj i takon Tetovës, ndërsa me origjinë rrjedh nga fshati Gradec, një vendbanim ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit. Nuk dihet me saktësi koha se kur ka ardhur kjo familje në Tetovë, por konsiderohet se ka ardhur para Hasan Pashë Derallës, për të cilin ka dëshmi se ka dhënë kontribut të madh me veprimtarinë patriotike të tij në Tetovë.

“Ekzistojnë shumë dokumente për Hasan Pashë Derallën, por edhe për të birin e tij, Mehmet Pashë Deralla, i cili ishte ministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë shqiptare të Ismail Qemalit”, shprehet me krenari mbesa e tij, Valdete Deralla, gjatë një vizite të mëhershme në Tetovë. Ajo kishte lindur në Tetovë, ndërsa në moshën më të re, bashkë me familjen shpërngulet në Shqipëri, për shkak të rrezikut nga pushteti i atëhershëm, që sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore.

MEHMET DERALLA SHKRIU PASURINË PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

Duke folur për stërgjyshin e saj, Valdetja do të thotë se Hasan Pashë Deralla ka dhënë një kontribut të veçantë për organizimin dhe mbajtjen e Konferencës së Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1878, duke qenë përfaqësues politik i saj, që dëshmohet edhe me disa akte të shkruara. “Kam lexuar pikërisht në këto akte se Hasan Pashë Deralla ka qenë një ndër përfaqësuesit e “Memorandumit”, që ishte dedikuar faktorit të jashtëm për pavarësinë kombëtare shqiptare”, vë në dukje ajo, duke shtuar se edhe i biri i tij, Mehmet Pashë Deralla, i cili asokohe ka qenë në moshën 30 vjeç, me disa përfaqësues të tjerë nga Tetova, ka marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit, si përfaqësues politik dhe ushtarak.

“Na tregonte shpesh babai, se pasuria e të parëve tanë, Hasan Pashë Deralla dhe Mehmet Pashë Deralla ka qenë aq e madhe, sa që është numëruar ndër tri më të mëdhatë në trojet etnike shqiptare, bashkë me atë të Libohovëve të Gjirokastrës dhe Begollëve të Pejës”, kujton ato rrëfime Valdetja. Kjo pasuri ishte vërë në shërbim të çështjes kombëtare, që mund të dëshmohet me të gjitha argumentet historike.

Edhe gjyshja e Valdetes, ka lënë gjurmë në kujtesën e saj. “Kur ishte nisur gjyshi im, me ftesën e Ismail Qemalit, për të marrë pjesë në Kuvendin e madh historik kombëtar në Vlorë, ku ka qenë e pranishme edhe gjyshja ime, ajo përshkruante dhomën e Mehmet Pashë Derallës, para se të nisej. Në një cep të dhomës ishte veshja ushtarake, kurse në tjetrin ishte një arkë, ku ishte e gjithë pasuria me flori, që ishte trashëguar nga stërgjyshi, i cili ka qenë aksionar në minierat e Radushës dhe Orashës”, thotë Valdetja.

KTHIMI ME GJYLE TOPASH I PASHAIT TË TETOVËS

Një bonjak nga fshati Gradec, vendbanim rrëzë Sharrit, ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit, të cilin e kishte rritur e përkujdesur Mehmet Pashë Deralla, kishte përparuar aq shpejt në hierarkinë perandorake, sa që një ditë ishte bërë këshilltar personal i Sulltan Hamitit, në Stamboll. Pikërisht ky këshilltar, do t'ia shpëtojë jetën Mehmet Pashës në një konflikt për çështje rezistence kundrejt pushtetit osman. Sulltani ka dashur ta dënojë me vdekje Mehmet Pashë Derallën, ndaj dhe ka thërritur  këshilltarin e dytë të tij, pikërisht bonjakun e dikurshëm të Gradecit, për të cilin ishte kujdesur pashai i Tetovës. Sulltani e pyet për këshillë, kurse gradecasi i thotë: “Nëse merrni një veprim të tillë, mund të ngrihet në këmbë e gjithë Tetova”.

Më 1901, Mehmet Pashë Deralla, ka qenë në Bagdad si komandant xhandarmerie, ku  është martuar me vajzën e një personaliteti ushtarak turk, prej së cilës ka lindur Gajur Deralla, i cili kishte edhe shenjën e Bagdadit. Pas ardhjes së xhonturqve, familja Deralla më 1909 kthehet në Tetovë. Para se ta rrezikonte jetën e vet, Mehmet Pashë Deralla, sipas rrëfimeve të mbesës së tij Valdete Deralla, e cila i kishte dëgjuar nga gjyshja e vet, Pashai i cili kishte qëndruar me familje në Bagdad, një ditë kishte marrë rrugën e kthimit me "vapor" drejt Selanikut. Për kthimin e tij ishin shkrepur gjyle topash, siç ka qenë zakon kur kthehej ndonjë gjeneral ushtarak. Gjyshja e Valdetes do t’ia përshkruajë edhe rrugën prej Selaniku deri në Shkup, ku ka pasur shumë njerëz me plisa të bardhë, sa që nga larg i kishte parë dhe i ishte dukur sikur të kishte rënë borë. Ishin shqiptarë që pritnin ardhjen e Mehmet Pashë Derallës në Shkup.

Me ardhjen e Derallës në vendlindje, fillojnë përpjekjet për kryengritje dhe pavarësi kombëtare, që arrijnë deri në fazën që quhet pavarësi gjysmake, e cila ishte firmosur në Londër, ku nuk i kishin lënë të marrin pjesë Isa Boletini dhe Mehmet Pashë Deralla, si personalitete ushtarake. Mehmet Pashë Deralla, do të njihet më vonë si ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Babai i tij, Hasan Pashë Deralla, i cili ishte nga Tetova, megjithatë kishte transferuar një pjesë të familjes në fshatin Gradec, që të jetonin në një truall të vjetër ilire, siç konsiderohej ky vendbanim i vjetër, prej nga i kishte rrënjët për nga gjaku. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë për organizimin dhe mbajtjen e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, duke qenë përfaqësues politik i kësaj lidhjeje, që dëshmohet edhe në aktet që janë marrë në mbledhjen e saj. “Kam lexuar pikërisht në këto akte, se stërgjyshi im ka qenë njëri ndër pjesëtarët e Memorandumit, që është dedikuar faktorit të jashtëm për pavarësinë tonë kombëtare. Edhe i biri i tij, Mehmet Pashë Deralla, në moshën 30 vjeç, me shumë përfaqësues të tjerë nga Tetova, ka marrë pjesë në këtë Lidhje, si përfaqësues politik dhe ushtarak, duke përfaqësuar trevat shqiptare në Tetovë e më gjerë”, thotë V. Deralla.

Ajo kishte arritur të grumbullojë një dokumentacion për personalitetin e Mehmet Pashë Derallës, ndërkohë që kishte botuar një monografi nëpërmjet Gjergj Kasapit, një ushtaraku në Shqipëri, të cilën e kishin prezantuar në Tiranë, por kishte  menduar që do të kishte qenë e rëndësishme ta sjellë atë edhe në Tetovë. Kjo për faktin se kishte konstatuar që të rinjtë tetovarë nuk e njihnin sa duhet përfaqësuesit e tyre në luftërat për pavarësi, siç ishin Dervish Carra nga Pallçishti, Mehmet Pashë Deralla e të tjerë, që i kishte mbuluar koha. Shumë vite më parë, ishte organizuar në Tetovë një manifestim madhështor në Pallatin e Kulturës, ku në mesin e 17 personave nga familja Deralla, për herë të parë, edhe pse në moshë të shtyrë kishte ardhur e bija e Mehmet Pashës, si dhe e Halim Bej Derallës, nipërit e mbesat, bashkë me Valdete Derallën, të cilët kishin bërë disa  ceremoni te varrezat e të parëve të tyre, si dhe kishin qenë në një drekë popullore në fshatin Gradec.

Foto:

  1. Mehmet Pashë Deralla
  2. Mehmet Pashë Deralla nga Tetova pranë Ismail Qemalit, në shënimin e njëvjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë

 

 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...