Rrihet barbarisht pas ndeshjes me Patosin, tifozi i Tomorrit përfundon në spital

Diel, 24 November 2019 21:23

Një tifoz i futboll-klub "Tomorri" ka rënë pre e dhunës së tifozëve të ekipit të Patosit dhe ka përfunduar në spital. lajm që konfirmohet edhe nga drejtuesit e klubit beratas.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, në dalje të qytetit të Patosit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Patosi-Tomorri, e mbyllur me fitoren e miqve 1-2.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, jashtë Stadiumit të Patosit, tifozët kanë qëlluar me gurë në drejtim të autobuzit të Tomorrit dhe mjeteve të tifozëve, po aty janë shpërndarë nga policia.

 

Në dalje të Patosit, në aksin nacional Patos-Berat,njëri nga tifozët, Nderim Deliu, është ndjekur nga dy automjete: njëri tip Golf dhe tjetri tip Benz, të cilët e kanë goditur me makina duke e nxjerrë jashtë rruge.

Më pas, 6 personat që ndodheshin në dy automjete Golf e Benz,e kanë nxjerrë Deliu zvarrë nga automjeti i tij dhe e kanë goditur me shkopa bejzbolli e shkelma, duke e lënë të shtrirë në tokë,pa ndjenja.

Agresorët janë larguar nga vendngjarja dhe ende nuk janë identifikuar nga policia, ndërkohë që i plagosuri Nderim Deliu, banues në fshatin "Otllak" në Berat, është transportuar në Spitalin e Fierit.

Login to post comments