SHIFRAT ALARMANTE/ 44% e popullsisë së Shqipërisë janë larguar gjatë periudhës 2008-2018

Hënë, 25 November 2019 08:33

Boletini ekonomik nga Instituti EPIK ka dhënë përqindjet e qytetarëve që kanë emigruar nga vendet e rajonit në shtetet e BE-së.

Sipas kësaj të dhëne Shqipëria ka përqindjen më të madhe të banorëve të saj të migruar në vendet perëndimore, edhe atë 44% e qytetarëve, të cilët kanë migruar në 10 vitet e fundit.

Analizën e kemi bazuar mbi tri kategori të dhënash të EUROSTAT-it për këtë periudhë kohore:

- Numrin e aplikimeve për azil në BE;
- Numrin e qytetarëve të zënë ilegalisht të pranishëm në BE; dhe
- Numrin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për herë të parë në BE.

Për të kuptuar më tutje ndikimin holistik të shkallës së emigrimit të qytetarëve, gjithashtu kemi analizuar numrin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të cilëve u është refuzuar hyrja gjatë të njëjtës periudhe.

Ja çfarë shkruan "EPIK" në publikimin e tij:

Rezultatet e analizës sonë mund të prezantohen përgjatë këtyre 13 përfundimeve:

1. Gjatë periudhës 2008-2018, 2,979,766 qytetarë të Ballkanit Perëndimor kanë emigruar në BE;

2. 1,599,971, apo 54% e tyre, kanë emigruar në mënyre të ligjshme, duke fituar lejen e qëndrimit; 808,030, apo 27% e tyre, janë zënë ilegalisht të pranishëm në BE; ndërsa 571,765, apo 19% e tyre, kanë kërkuar azil;

3. Shqipëria prin bindshëm rajonin me shkallën e emigrimit. Gjatë periudhës 2008-2018, 1,249,706 shtetas të saj kanë emigruar drejt BE-së. Kjo përbën 44% të popullsisë së Shqipërisë. Kjo është pothuaj sa numri i shtetasve emigrues në BE nga të gjitha vendet e tjera të rajonit të marra së bashku;

4. Shqipëria udhëheq rajonin në të gjitha kategoritë e emigrimit;

5. Sa u përket qytetareve të zënë duke qëndruar ilegalisht në BE, gjatë periudhës 2008-2018 janë zënë 451,015 shtetas të Shqipërisë. Kjo është më shumë se numri i shtetasve të kësaj kategorie nga të gjitha vendet e tjera të rajonit të marra së bashku. Me fjalë të tjera, 16% e popullsisë së Shqipërisë është zënë ilegalisht në BE gjatë kësaj periudhe;

6. Shqipëria ka udhëqur rajonin edhe me numrin e shtetasve që kanë fituar lejen e qëndrimit në BE. 622,171 shtetas të saj e kanë fituar atë gjatë periudhës 2008-2018. Kjo përbën 39% të qytetarëve nga i tërë rajoni që kanë fituar leje qëndrim në BE;

7. Shqipëria ka udhëhequr rajonin edhe me numrin e qytetarëve të cilëve u është refuzuar hyrja në BE. Gjatë periudhës 2008-2018, 332,470 shtetasve nga rajoni u është refuzuar hyrja në BE. Më shumë se gjysma e tyre, apo 170,450, kanë qenë shtetas të Shqipërisë;

8. Kosova është në vendin e dytë për nga shkalla e emigrimit në BE, me 529,647 shtetas, apo 30% të popullsisë. Vendi me shkallën më të ultë të emigrimit është Mali i Zi me 36,089 shtetas, apo 6% të popullatës;

9. Fluksi i migrimit të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor ka arritur kulmin në vitin 2015, me 425,385 qytetarë të larguar drejt BE-së. Përkundër rënies së fluksit gjatë vitit 2016 dhe 2017, ai ka shënuar përsëri rritje në vitin 2018, me 325,250 qytetarë të emigruar në BE;

10. Sa u përket vendeve të BE-së të cilat kanë pranuar më së shumti azilkërkues, Gjermania prin me 83,880, e ndjekur nga Franca, me 41,885;

11. Sa u përket vendeve ku qytetarët e Ballkanit janë zënë duke qëndruar ilegalisht, prinë Greqia me 280,850, dhe Gjermania, me 52,220;

12. Sa i përket numrit të lejeve të qëndrimit të lëshuara për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, prin Italia, me 308,252 sosh, dhe Greqia, me 224,129 sosh.

13. Sa u përket vendeve të BE-së hyrja në të cilët është refuzuar, prin Greqia, me 75,540, dhe Italia, me 31,230.

Login to post comments