Nuk i paskëshin mjaftuar hallet së shkretës Shqipëri. Ashtu e kërrusur nga dertet e veta, mori një goditje fatale natën e 26 nëntorit. Një tërmet tejet i fuqishëm na zu ngushtë. Të gjithë të përbashkuar rreth emëruesit të përbashkët, gjumit, flinin. Të mirë e të këqij, shenjtorë e mëkatarë, pushtetarë e opozitarë, një pjesë e madhe e popullit shqiptar e pa vetën nën darën, e cila nuk e njeh arsyen. Nga mëngjesi i djeshëm, kronika e vdekjes vjen e intensifikohet. Në kohën kur shkruhen këto radhë, numërimi i viktimave ka arritur në njëzet. Të tjerë mund të jenë ende nën gërmadha. Kudo dhimbje e lot për ta. Pamjet janë tejet tronditëse. Sokëllima e nëntokës qe e tmerrshme. Historia e ndërtimeve dhe cilësia e tyre në këtë vend na shfaqet e plotë para syve, raporti ynë me ndërtimet dhe cilësinë e tyre po aq, po kjo është temë tjetër. Tani shqiptarët, si edhe herë tjetër, janë në një provë të epërme, atë që dinë të nxjerrin nga kraharori askush si ata, kur thirren për të dëshmuar vetveten. Solidariteti është pika e tyre e fortë. E kanë dëshmuar me të huajt, me ushtritë e mundura serbe në vitin 1915, në atë që quhet allbandkaja golgota, e kanë dëshmuar me italianët në vitin 1943 pas kapitullimit të fashizmit. Pra, kur këtë e bënë me të huajin, nuk kish se si të mos e bënin me vëllezërit e tyre, në tërmetet e 1967 e 1979 e mbi të gjitha, në luftën e Kosovës kur mirëpritën 1 milion vëllezër të dëbuar. Ata që gërmojnë me duar e mjete rrethanore, ushtarë e policë, janë heronjtë tanë. Kjo është kohë për solidaritet. I pari këtë e bëri shefi i opozitës, Lulzim Basha, duke shpallur detanten me qeverinë dhe bëri mirë. Presidenti i Republikës i la mënjanë referendumet dhe aksionin. Nuk duhet bërë politikë me një fatkeqësi kësodore. Kjo detante duhet të zgjasë. Po ashtu, nuk kemi të drejtë të mendojmë që sot Edi Rama nuk është thellësisht i mërzitur e i përzhitur si çdo shqiptar. Nuk kemi të drejtë të mendojmë që ai, ministrat Xhaçka e Lleshaj, Balluku etj., kryebashkiakët Veliaj e zonja e Durrësit , ai i Krujës, Kurbinit, Lezhës e Ademi e Shkodrës nuk do të bëjnë maksimumin e tyre. Nuk kemi të drejtë t’i dekurajojmë e as t’i keqgjykojmë. Sot duhet t’i mbështesim, me shpresën që të bëjnë maksimumin për bashkëqytetarët e tyre. Kryeministri duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. O sot, o kurrë! Po ashtu, gazetarët në terren e të tjerët në studio po bëjnë gjithçka për ta tejçuar informacionin dhe rritur sensibilizimin. Ne të gjithë me sa mundemi, me sa dimë, duhet të ndihmojmë ata, që sot e sonte më shumë se kurrë kanë nevojë për dorën vëllazërore. Të kujtojmë vargjet e Naimit: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar! T’i tregojmë natyrës që na thyen trarët, por jo solidaritetin, jo aftësinë për të reaguar e ringritur! Nëse kështu nuk do kishte qenë përgjatë shekujve, me kohë e mot do ishim zhdukur!