Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir, Zela, është larguar nga detyra. Mësohet se kreu i AKEP ka dhënë dorëheqjen për arsye personale
Lirimi i tij është bërë zyrtar tashmë, pasi është publikuar vendimi nga Këshilli i Ministrave, i cili ka vendosur propozimin e Kuvendit për lirimin e z.Ilir Zela, anëtar, i caktuar kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Zela e mori këtë detyrë në nëntor të vitit 2017, duke zëvendësuar në këtë detyre Pirro Xhixho.
Këshilli i Ministrave ndërkohë ka propozuar për anëtar të këshillit Drejtues të AKEP, Tomi Frashëri, i cili ka mbajtur deri më tani detyrën e shefit të Protokollit të Kryeministrit. Frashëri njihet si një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës.
Votimi i tij në Kuvend pritet të bëhet më 19 dhjetor, ditë kur do të miratohet edhe ‘paketa antishpifje’, një projektligj që synon t’i japë qeverisë kontroll mbi mediat online.
AKEP me drejtorin e ri, pritet të ketë një rol të rëndësishëm pas miratimit të këtij ligji.