Ndërmarrja e Punëtorëve nr.2, Tiranë, një strukturë në varësi të Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj, shpenzon rreth 450 milionë lekë (të vjetra) ose rreth 450 mijë dollarë amerikanë për blerje inertesh, në një kohë që tërmeti i 26 Nëntorit krijoi rrënoja të shumta, në kryeqytet dhe në rrethinat e saj.
Në Buletinin e Prokurimeve, të publikuar këtë të Martë (10 Dhjetor 2019), Ndërmarrja nr.2 e Punëtorëve ka shpallur fitues kompaninë “Shpresa-AL”, në tenderin me objekt “Blerje inerte”, me fond 433 milionë lekë (të vjetra) me TVSH.
Tenderi, sipas të dhënave publike, është shpallur në Shtator 2019 dhe, pas kryerjes së procedurave, fituesi i tij është shpallur në 26 Nëntor 2019, pikërisht në ditën kur qendra e Shqipërisë u trondit nga tërmeti 6.4 ballë e shkallës Rihter.
Menjëherë pas goditjeve të forta sizmike, u konstatua në terren se tërmeti kishte krijuar rrënoja të shumta, të cilat do të vijojnë të shtohen për shkak të rrëzimit të disa ndërtesave, të cilat përbëjnë rrezik potencial nëse qëndrojnë ende në këmbë.
Por, në Bashkinë e Tiranës i qëndrojnë “korrekt në maksimum” ligjit, sidomos kur bëhet fjalë për tendera me vlera të konsiderueshme.
Bashkia e Tiranës, për shkak të situatës së krijuar, ka të gjithë hapësirën ligjore për të anuluar shpenzimet e tenderit për “blerje inertesh”. Në çdo rast, penaliteti për prishjen e kontratës do të jetë shumë më i vogël sesa shpenzimi i parashikuar.
Për më tepër, Bashkia e Tiranës ka mundësinë të aplikojë parashikimet e vendosura nga Ministria e Financave “Mbi prioritetin e pagesave në kushtet e gjendjes së shpallur të fatkeqësisë natyrore”, të shpallur pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave për “Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, të datës 27 Nëntor 2019, një ditë pas tërmetit tragjik.