Në Shqipëri, shumica socialiste ka hartuar dy projektligje të fokusuara në çështjen e betimit të drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve të drejtësisë, në përpjekje për të shmangur në disa raste presidentin e Republikës, pas përplasjes që ndodhi me një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa shumica në pushtet e konsideroi të shpallur si të emëruar automatikisht zonjën Vorpsi, Kreu i Shtetit dekretoi kandidaten Marsida Xhaferllari dhe organizoi ceremoninë e betimit për të.
Në ndryshimin ligjor të propozuar nga socialistët parashikohet që “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, brenda 10 ditësh nga afati i zgjedhjes, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”. Por kjo duket një zgjedhje e sforcuar duke qenë se është vetë Kushtetuta që parashikon “betimin para presidentit”.
Me anë të një tjetër projektligji, shumica ka shmangur betimin përpara presidentit dhe për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe atyre të Prokurorisë së Posaçme.
Nga ana e tij zoti Meta, deklaroi se “kush gjen kohë në këto momente për të provokuar presidentin dhe popullin e Shqipërisë duhet ta ketë të qartë se presidenti i di shumë mirë jo vetëm detyrën e tij por është i ndërgjegjshëm dhe për misionin e tij”.
Këto komente zoti Meta i bëri në dalje nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet lidhur me aktivitetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pas kallëzimit penal të bërë pikërisht nga zoti Meta, ndaj drejtuesit të këtij institucioni Ardian Dvorani. Ky i fundit akuzohet nga Kreu i Shtetit për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Përvetësim të kompetencës dhe titullit shtetëror”.
“Rasti është tmerrësisht flagrant. Shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Mendoj se kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e Reformës në Drejtësi”, deklaroi zoti Meta, duke shtuar se “Provat janë të mjaftueshme që Prokuroria të veprojë ndaj zotit Dvorani. Ne nuk bëjmë presione, ndonëse çështja është shumë e rëndë, sepse ka vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Prokuroria ka patur dhe çështje të tjera që lidhen me tërmetin, por kjo është një çështje së cilës askush nuk mund t’i shmanget. Ne jemi të qetë e të duruar e do bashëpunojmë ngushtë sepse është një rast tepër flagrant”, theksoi presidenti Meta.
Kallzimi ndaj zotit Dvorani lidhet me procedurat e ndjekura për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. Sipas Presidentit Meta, kryetari i KED-së, gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i ka dërguar qëllimisht presidentit në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vakanca. Me këtë veprim, sipas tij, zoti Dvorani synoi krijimin e një gjendje anti-kushtetutshmërie, duke e vendosur presidentin e Republikës në pamundësi kushtetuese, dhe u përpoq të krijojë një gjendje të faktit të kryer ndaj presidentit, duke e shtyrë të shprehej edhe për vakancën e dytë përpara se të shprehej Kuvendi për zgjedhjet e veta.
Në reagimin e tij për këtë çështje, zoti Dvorani është shprehur se kallëzimi penal ndaj tij, “ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”.
Sipas anëtarit të Gjykatës së Lartë “akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit”, ka deklaruar zoti Dvorani.
/VOA/