Pallatet e komunizmit të rrënuara nga tërmeti, Velo: Ju rrëfej urdhrin e Partisë për fabrikën e silikateve

Tuesday, 24 December 2019 10:06

S’kanë kaluar as 4 muaj që Maks Velo i bënte thirrje qeverisë të konsultohej me specialistët për vendime me peshë për urbanistikën vendëse.

Arkitekti ngriti për të disatën herë zërin për premtimin e mohuar të Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, për një ambient ku të shqyrtoheshin dhe të bëheshin transparente projektet dhe maketet. E ndërsa flet për tërmetin e 26 nëntorit, ai sjell ndërmend intervistën te “Panorama” për kullat “fastfood” dhe aprofesionistë të pandërgjegjshëm, që vendosin lehtësisht firmën për ndërtimin e tyre. 51 viktima, 10 mijë pallate të dëmtuara dhe 1100 banesa të rrënuara, shqiptarët e paguan shtrenjtë mungesën e ndërgjegjësimit pas goditjes sizmike të muajit të kaluar.termeti situata Durres godinat e prekura-lekundjet-sizmike-6 (8)

“Sot mund të justifikoheshin vetëm pallatet dhe shtëpitë e ndërtuara kur ‘kavanozat’ ishin bosh, por jo ndërtesat e ditëve të sotme”, thotë arkitekti i shqetësuar. Ndërsa zëri më i fortë për të shpjeguar situatën aktuale vjen nga specialistët e formuar gjatë diktaturës, Velo shpjegon se pse asokohe me profesionistë të këtij niveli ndërtoheshin banesa të këtilla. Sipas tij, bilanci paraprak ku tregohet se tërmeti ka dëmtuar një numër të madh banesash të ndërtuara gjatë komunizmit, shpjegohet jo vetëm me ekonominë e dobët, të rënduar veçanërisht pas prishjeve të marrëdhënieve me Kinën në ’78-ën e me ndërtimet e bëra përmes punës vullnetare, por edhe te lakmia e diktatorit që “me pak të bëhej shumë”.

“Ishte koha kur Enver Hoxha pretendonte se i dinte të gjitha. Ndodhi si me naftën, kur kërkonte sasi të paimagjinueshme nafte, ashtu edhe për ndërtimet, Partia jepte urdhër që fabrika e silikateve nga 10 milionë tulla apo materiale të tjera, të prodhonte 15 milionë. Drejtuesve nuk u ngelej gjë tjetër, veçse të ulnin cilësinë”. Sagën e ndërtimeve pa ndërgjegje e duke shpërfillur shkencën, Velo e shikon të shtrirë në kohë e hapësirë. Ai kujton rastin kur u vesh me pllaka Pallati i Kulturës dhe deri te rrënimi i banesave 1- vjeçare në 26 nëntor. Përqindja minimaliste që i dedikohet shkencës nga buxheti, botimet e pakta shkencore, mungesa institucioneve përkatëse apo nxitja e munguar financiare e specialistëve, e bën të vështirë rregullimin e situatës. “Nuk është e pamundur nëse do kishte vërtet vullnet. Por këtu po bëhet teatër… Edhe me prishjen bëhet teatër”, shton Velo.

Zoti Velo, debati për dëmtimin e godinave nga tërmeti i 26 nëntorit vijon ende të nxjerrë në pah gabimet njerëzore në ndërtim. Nëse përpiqemi të japim një shpjegim të përgjithshëm, si do ta shpjegonit dëmtimin e mbi 11 mijë godinave?

Ajo që ndodhi është një katastrofë e madhe, e cila shtrihet në kohë dhe në hapësirë. Nëse bëhet një inventar, godinat e prekura nga tërmeti rezulton se ato janë të ndërtuara në periudha të ndryshme. Nisin 70 vite më parë e deri para një viti. Shumëkush mund të përpiqet t’i shpjegojë dëmtimet e këtyre objekteve në mënyrë të përgjithshme, por ajo që unë konstatoj është se çdo godinë ka gabimet personale. Për shembull, një pallat ka qëndruar i anuar, kjo tregon se kolonat poshtë nuk e kanë mbajtur. Është rasti i një hoteli që ra petë-petë, ku mesa kuptoj hapja e kolonave ka qenë më e madhe sesa duhej. Pra, nëse janë dashur kolona çdo 3 metra, ata e kanë vendosur një në 6 metër. Kemi rastin e një tjetër pallati që është futur në tokë, çka tregon që themeli nuk ka qenë në rregull dhe pallati ka peshuar mbi të duke u fundosur. Të gjitha këto tregojnë se gabimet janë të shumëllojshme dhe faktorët që kanë sjellë në këtë situatë janë sa historikë, aq edhe teknikë. Prandaj, ne duhet që të lexojmë historinë e ndërtimit, e cila shkon paralel me jetën tonë shoqërore, nga epoka e komunizmit, në periudhën pas viteve ’90 dhe deri më sot.

Për sa u përket faktorëve historikë, nga rezultatet paraprake që janë pasqyruar deri më tani rezulton se numri më i madh i godinave të dëmtuara janë ndërtuar gjatë diktaturës. Si e shpjegoni një fakt të tillë?

Ajo qe unë vërej është se ne kemi sot godina të ndërtuara në kohën e sovjetikëve, të cilat kanë rezistuar, edhe pse janë me tulla. Nga ana tjetër, në zona si Kombinati, Lana etj., ka godina të mëvonshme që janë dëmtuar, kjo pasi këto objekte janë ndërtuar në një kohë që ekonomia e vendit tonë është dobësuar ndjeshëm. Pas prishjeve të marrëdhënieve me Kinën filluan në masë ndërtimet vullnetare. Kanë qenë këto godinat që janë rrëzuar apo dëmtuar rëndë. Pastaj, asokohe ndodhte që Partia të jepte urdhër që fabrika e silikateve, nga 10 milionë tulla apo materiale të tjera që prodhonte, ta çonte numrin në 15 milionë. Atëherë drejtuesve nuk u mbetej tjetër, veçse të ulnin cilësinë, çka ka bërë që materialet të dilnin të degraduara. Pra, ka ndodhur si në rastin e inxhinierëve të naftës, kur Enver Hoxha, që pretendonte se i dinte të gjitha, kërkonte sasi të paimagjinueshme nafte. E njëjta gjë edhe në këtë rast, pasi shoqëria jonë nuk është mësuar të respektojë shkencën.

Nëse flasim për studimet e bëra në lidhje me urbanistikën dhe ndërtimet prej diktaturës e deri më sot, si do ta përshkruanit (mos)ecurinë e këtyre proceseve?

Gjatë komunizmit kemi episode, si pushkatimi i inxhinierëve të Maliqit (1949) e të tjera, që tregojnë qëndrimin ndaj specialistëve, e megjithatë me kohën Partia, Mehmet Shehu e kuptoi domosdoshmërinë për të pasur struktura të forta shkencore. Kështu u krijuan institutet, Akademia e Shkencave, u forcua Ministria e Ndërtimit. Ndër gabimet më të rënda që u bënë pas ’90-ës është eliminimi i këtyre hallkave. Pas mbylljes së Institutit të Urbanistikës, të gjitha studimet janë spontane. Kjo do të thotë se organizimi, planifikimi i vendeve se ku do të ndërtoheshin qytete të reja do të duhej të kalonin tek Instituti i Urbanistikës. Asnjë specialist, qoftë francez apo zviceran, sado i mirë të jetë, nuk mund ta bëjë punën si duhet pa u ndjekur nga Institucioni i Urbanistikës, që duhet të kishte të gjitha të dhënat. Ne këtë institucion e shkatërruam, se kryeministrat tanë janë marrë me efekte paraelektorale e nuk kanë menduar se ç’do ngjasë me këtë vend pas 40 vjetësh.

Pra, ju po thoni se shkencës sot nuk i jepet vëmendja e mjaftueshme?

Mjafton të përmend faktin se pas tërmetit, kur njerëzit kërkonin të informoheshin më shumë rreth sizmicitetit në vendin tonë, u vu re se botimet janë shumë të pakta. Sipas Bibliotekës Kombëtare, botimi shkencor është vetëm për qind. Ministria e Kulturës pjesën më të madhe të parave e jep për përkthime, romane rozë etj., që duhen normalisht, po jo duke lënë në hije librat shkencorë. Pastaj, kur ndodhin dukuri të tilla nuk gjen një libër për t’u konsultuar. Madje, edhe ai libër që është për sizmicitetin nuk është ribotuar (“Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”, e disa botime të Betim Muços, Eduart Sulstarovës etj.). Në të gjithë botën kanë nga një shtëpi botuese për shkencën, ne s’kemi asnjë të tillë të subvencionuar nga shteti. Nga ana tjetër, specialistët, shkencëtarët duhet të nxiten edhe financiarisht. Mjafton të përmend faktin se unë për librin tim “Arkitektura Moderne dhe Bashkëkohore në Shqipëri”, ende s’jam shpërblyer. Ne fondin e kërkimeve shkencore e kemi minimalist, rreth 0,037 për qind të buxhetit, ndërkohë që Anglia e vende të tjera perëndimore japin nga 4 për qind apo më shumë. Prandaj them se këtë që na ndodhi e kemi nga koka, jo nga toka. Si mundet që të eliminohen qendrat shkencore? Mjafton të kujtoj Laboratorin e Hidraulikës dhe Hidroteknikës, e cila ka qenë një nga qendrat e rëndësishme të vendit tonë, që ndihmoi në ngritjen e hidrocentraleve, ku në vend të saj u bë një pallat dhe arTurbina. Kjo tregon se sa rëndësi i japim ne sot shkencës.Enver Hoxha dhe Hysni Kapo

A është e vërtetë që një numër i madh godinash në vendin tonë janë të ndërtuara pa projekt?

Mua më rezulton se rreth 40 për qind e ndërtimeve në Shqipëri nuk kanë projekt. Kjo edhe për shkak të lëvizjes së popullsisë, ku shumë qytetarë u vendosën në qytetet e mëdha si Tirana, duke ndërtuar pa konsultë, pa projekt e pa e ditur se ç’bënin. Shtoi këtyre iniciativave individuale edhe përhapjen e blloqeve të betonit, si mënyra më e lirë për të ndërtuar dhe si rezultat kemi ndërtime me të meta të mëdha. Ndërsa të gjitha godinat e projektuara mirë kanë rezistuar.

Cilat godina mund të quhen të projektuara mirë?

Në një prej godinave të Durrësit kishte rënë muri dhe godina kishte qëndruar, kjo pasi atje mungonin dy breza sizmikë. Në disa raste të tjera kishin fluturuar ballkonet, pasi nuk ishin të lidhur. Pra, ka shumë faktorë që duhet të plotësohen në ndërtimin e një godine, që nga themelet, rrjeti i kolonave etj. Ndërtimi është një proces që kërkon pjesëmarrjen e shumë personave kompetentë, që nga arkitekti, konstruktori, zbatuesi, specialisti i kantierit etj. Gjatë procesit të punës duhet edhe kontrolli për të provuar fortësinë e betonit, nëse është marka që është shënuar apo jo. Duhet kontrolluar hekuri, nëse është ai standard për të cilin është blerë. Nëse të gjitha këto respektohen, nuk ka rëndësi se ku ndërton, pasi me teknologjitë që ka sot njeriu shkon edhe në hënë. Unë kam shtruar pyetjen: Si është e mundur që në Dubai ndërtohen godina deri në 200 m mbi rërë dhe rezistojnë, ndërsa te ne, edhe pse mbi tokë, bien? Përgjigjja qëndron te materialet, përpos mashtrimeve që ka gjatë proceseve të ndërtimit. Ndërtimi është një proces që kërkon ndërgjegje të lartë. Pse tërmeti nuk rrëzoi asnjë pllakë të vendosur nga italianët, as te Kryeministria, as tek Universiteti i Arteve etj.? Sepse italianët ishin njerëz të ndërgjegjshëm. Kujtoj kur u vesh me pllaka Pallati i Kulturës, tanët i vendosën dy ganxhat, po pa i lyer me antirugine. Më pas ndodhte që kur lagështira futej, ato villnin jashtë. Kjo tërhoqi vëmendjen e Spiro Kolekës, i cili kërkoi shpjegime. Ky është vetëm një rast, që tregon se ne nuk i bëjmë punët siç duhet…

E kujtoni tërmetin e 15 prillit të ’79-ës, keni qenë në burg asokohe?

Ishte e diel, ka qenë ora rreth 7 e gjysmë dhe unë kam qenë në hetuesi kur ra tërmeti. Qendra ishte në Petrovac të Malit të Zi dhe tërmeti dëmtoi rreth 100 km vijë bregdetare. Pati rreth 500 të vdekur, ku 35 qenë në Shkodër. Ky tërmet qe më i fortë edhe se ai i Bukureshtit dhe i Shkupit. Kujtoj se në Bukuresht pati rreth 1540 të vrarë në ’77-ën, ndër të cilët edhe kushërira ime, Jorgjia Velo, këngëtare e talentuar, e cila jetonte me djalin. Fatmirësisht, i biri shpëtoi, ishte ora rreth 10 e darkës dhe ai kish dalë jashtë. Ndërsa në Shkup tërmeti i ’63-shit shkaktoi 1040 viktima. Në raport me këto shifra, përmasat e tragjedisë që preku Shqipërinë në këtë 26 nëntor qenë më të vogla. Mirëpo, nëse flasim për tërmete apokaliptike, i tillë konsiderohet ai i San Franciskos në vitin 1906, që shkatërroi gjysmën e qytetit.

Ju e keni cekur edhe më herët mbingarkimin e qytetit me beton, mungesën e parqeve, hapësirave publike, kaosin e urbanistikës. Çfarë e nxit një shndërrim të tillë të kryeqytetit…

Shqiptarët kuptuan se ndërtimi jepte fitim të madh dhe të shpejtë. Pra, nëse për ndërtimin e një pallati jashtë vendit firmat përkatëse fitonin deri në 14-15 për qind, te ne fitimi është me 50 për qind. Kështu, të gjithë u sulën të ndërtojnë, të bëjnë pallate edhe atje ku s’duhet. Tjetër gabim që vazhdon ende sot është lëvizja e popullsisë. Sizmologu amerikan (Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Temblor Incorporated”) tha se Shqipëria ka kodrat më të bukura. Po ne ç’bëjmë? I lëmë dhe ikim. Ndërkohë që korrupsioni i ndërtimit vazhdon, sidomos në Tiranë dhe në vijën bregdetare. Kjo gjendje mund të mos ishte nëse do kishim punuar me profesionalizëm dhe ndershmëri. Sot mund të justifikohen vetëm pallatet dhe shtëpitë e ndërtuara kur “kavanozat” ishin bosh, gjatë viteve 1983-‘85, kur situata u rëndua, pasi u prishën marrëdhëniet me kinezët dhe filluan të ndërtonin me punë vullnetare, por jo periudha e pas ’90-ës e aq më pak në ditët e sotme.

Besoni në përpjekjet që po bëhen pas tragjedisë, që ndërtimet në të ardhmen të bëhen siç duhet?

Nëse është vërtet vullneti, nuk është e pamundur që çdo gjë të rregullohet. Problemi është që këtu, edhe në këto momente bëhet teatër. Edhe me prishjen bëhet teatër. Tani të gjithë duan të shpëtojnë lëkurën dhe mbasi e gjitha të harrohet, me shumë gjasa do të vazhdohet po njësoj. Për sa u përket studentëve, studiuesve të rinj, apo edhe pedagogëve të tyre, këtë dukuri që ndodhi ata duhet të shkojnë ta shikojnë nga afër. Duhet të shqyrtojnë godinat, çarjet, betonin, të dëgjojnë ekspertët e huaj. Edhe në këtë këndvështrim ndihet neglizhenca.

PANORAMA

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...