Lezha miraton buxhetin, “shpërfill” tërmetin, zero lek për të dëmtuarit nga fatkeqësia

Premte, 27 December 2019 16:25

Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi ditën e djeshme buxhetin e vitit 2020, pa marrë në konsideratë fondin e rindërtimit në zonat ku janë shkaktuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë buxhet nuk është parashikuar asnjë zë për rindërtimin, ndërsa investimet do të jenë kryesisht si pjesë e zërave në fondin e shërbimeve publike. Këshilltari i Partisë Socialiste, Agustin Marku, e ka quajtur të papranueshëm një vendim të tillë, pavarësisht se koha ka qenë e mjaftueshme për reflektim.

“Të miratohet një buxhet sot dhe ta justifikojmë se do shohim tepricat e vitit dhe mos të futet program i veçantë çështja e rindërtimit. Mua më duket buxhet pa sens. Tërmeti ka rënë më 26 nëntor dhe buxheti miratohet më 26 dhjetor dhe sa për qind e shpenzimeve administrative në Bashkinë Lezhë janë menduar që të kursehen dhe të shkojnë për fatkeqësinë, ka kush një shifër?”, është shprehur Marku.

Ndryshe nga Bashkia e Durrësit, që e ka miratuar fondin e rindërtimit, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka thënë se pritet dalja e aktit normativ të qeverise për të parë se cila do të jetë mbështetja që do të marrin prej saj, në mënyrë që të vendosin edhe planifikimin e tyre.

“Mund ta kalojmë komplet fondin e investimeve te tërmeti, ne jemi këtu në Këshill dhe nuk thamë as jo, as po. Por ne jemi të varur nga akti normativ i qeverisë, i cili do të vendosë se si duhet të veprojmë. Nëse është e nevojshme, i ndryshojmë sërish zërat në buxhet dhe i çojmë te rindërtimi”, tha Ndreu.

INVESTIMET

Sa u takon investimeve të planifikuara për vitin 2020, duke analizuar buxhetin këshilltari Agustin Marku tha se bashkia ka planifikuar blerje e shumë pak investime dhe ato sipas tij, janë rreth 22.4 për qind e totalit. “Buxheti i bashkisë është 18 miliardë lekë dhe për investime janë rreth 4 miliardë lekë, pra 22.5 për qind. Por ama, 14 investime i keni blerje dhe vetëm 6 investime keni për infrastrukturën”, është shprehur Marku.

Ndërsa ka mbrojtur buxhetin e paraqitur nga administrata e tij, kryebashkiaku Pjerin Ndreu tha se shumë investime do t’i bëjë me punëtorët e bashkisë, si një mënyrë për të ulur kostot. “Te shpenzimet operative që shkojnë te Drejtoria e Shërbimeve kemi planifikuar rindërtimin e të gjitha trotuareve të Lezhës dhe për këtë investim do të përdorim punonjësit tanë të shërbimeve dhe hakun e punës nuk e paguajmë. Pra, bëjmë një investim me kosto më të lirë, por me një taktikë tjetër, që mos të shpenzojmë lekët dhe të bëjmë punën. Kemi bërë një brigadë që do punojë çdo ditë, pasi ne do blejmë materialet dhe me ato do të punojnë në terren. Kështu do të operojmë edhe në investimet në bujqësi, ku do të blejmë mjetet dhe punojmë për hapjen e kanaleve kulluese dhe vaditëse”, tha Pjerin Ndreu. Buxheti i vitit 2020 i Bashkisë Lezhë, i cili u miratua me shumicë, votash ka vlerën e rreth 1.8 miliardë lekëve, prej të cilave vetëm 400 milionë janë zë konkret për investime. Në Bashkinë e Lezhës janë inspektuar deri tani 1200 objekte që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti dhe 70 prej tyre janë shpallur të pabanueshme, mes tyre dhe disa pallate brenda qytetit. Deri tani, bashkia ka vënë në dispozicion 250 milionë lekë, të cilat do të shkojnë për bonusin e qirasë për një periudhë 1-vjeçare për 160 familje përfituese./PANORAMA.al

Login to post comments