Moti i keq, pasagjerët bllokohen në Durrës, pezullohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në Kapshticë

Diel, 05 Janar 2020 19:05

Një mot i paqëndrueshëm me erëra të fuqishme dhe reshje bore në zona malore ka përfshirë Shqipërinë.

Përkeqësimi i motit ka bërë që Porti në Bari të mbyllet, deri në një urdhër të dytë për ta hapur atë. Porti i Durrësit, për shkak të mbylljes së Portit në Bari, do të ndalojë nisjen e trageteve drejt qytetit bregdetar italian.

Për rrjedhojë është ndaluar udhëtimi i pasagjerëve si në Durrës, ashtu edhe në Bari. Kapiteneria e Barit ka deklaruar se e gjitha bëhet për të garantuar sigurinë lundrimore në situata detare me mot të përkeqësuar. Edhe Porti i Vlorës ka pezulluar të gjitha hyrjet e daljet e trageteve për shkak të motit të keq.

Temperaturat e ulëta kanë përfshirë edhe Tiranën, ku si pasojë e erës së fortë në sheshin “Skënderbej” u rrëzua pema e Vitit të ri. Po në kryeqytet raportohet për rrëzimin e disa pemëve në disa zona si para Kryeministrisë, pranë Pallatit të Kongreseve dhe në disa rrugë. Dëmtimi i rrjetit ka bërë që në Tiranë të ketë edhe probleme me energjinë.

Ndërkohë, në pikën kufitare në Kapshticë është pezulluar kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë deri më 6 janar, për të shmangur problemet dhe vështirësitë në qarkullim, si pasojë e prezencës së akullit në rrugë. Ndërkaq, do të lejohet kalimi i autobusëve dhe të automjeteve, që janë të pajisur me zinxhir.

Pas njoftimit, mjetet e tonazhit të rëndë kanë “shmangur” Kapshticën dhe përdorin të tjera pika kalimi kufitare me Greqinë, deri në normalizimin e situatës. Meteorologët shprehen se kjo situatë do të vazhdojë për së paku 2 ditë.

Login to post comments