Dalin pamjet, me levë e kapuç, si u grabit institucioni financiar te Komuna e Parisit, arrestohet autori

E Enjte, 09 Janar 2020 09:37

Policia e Tiranës ka publikuar videon e grabitjes së institucionit financiar, dy netë më parë, në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë.

Në video duket autori i maskuar dhe me levë në dorë, që futet në banak dhe merr një shumë parash prej 60 mijë lekë të rinj.

 

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni “Designer”, me metoda proaktive.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit ndaj Pronës dhe Sektorin e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë.

Zbardhet vjedhja me dhunë e një sasie parash, në një nga filialet e një institucioni financiar për kredidhënie në shuma të vogla, ndodhur më datë 7 janar 2020.

 

Vihet në pranga 28-vjeçari.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një biçikletë, me të cilën autori u largua nga vendngjarja dhe një sasi prej 45000 lekësh të rinj.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit ndaj Pronës në DVP Tiranë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 7 janar 2020, ku një person vodhi me dhunë një sasi lekësh, në një zyrë kredidhënieje në shuma të vogla, organizuan punën dhe nën drejtimin e prokurorisë, duke përdorur metodat proaktive, bënë të mundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohej autori i kësaj ngjarjeje.

Në bazë të provave të grumbulluara, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Designer”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit D. K., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, në datën 07.01.2020, rreth orës 18:30 ka shkuar në rrugën “Medar Shtylla”, në filialin e një institucioni financiar dhe me anë të ushtrimit të dhunës me një shkop metalik, i ka vjedhur punonjësve të këtij filiali një shumë prej 60000 lekësh të rinj dhe dy aparate celular.

Gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një biçikletë, me të cilën u largua pasi kreu vjedhjen, si dhe një shumë prej 45000 lekësh të rinj.

Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Login to post comments