Tufa pyet anëtarin e KLP: A ke njohje me këtë zyrtar të lartë të Policisë?

Premte, 10 Janar 2020 19:36

Ish-kreu i Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa këmbëngul që antari i KLP-së, Bujar Sheshi ka qenë agjent i Sigurimit të Shtetit në periudhën e diktaturës me nofkën “Venusi”.

Ai i drejtoi sot një pyetje në lidhje me njohjen që ka me Nikollë Ricën, drejtor i Personelit në Policinë e Shtetit, bashkëshortja e të cilit punon pranë Autoritetit të Dosjeve.

Tufa thotë se Rica jepte përgjigje negative për çdo kërkesë të ISKK-së nëse në radhët e policisë kishte oficerë të sigurimit të shtetit.
 

Reagimi i plotë i Tufës:

 

MBI OFICERIN E KUFIRIT DHE SHEFIN E SOTËM TË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT, NIKOLLË RICËN

Në një shkrim të javës së kaluar, i kemi bërë disa pyetje kyçe anëtarit të KLP-së së sapozgjedhur, Bujar Sheshit vs ish-hetuesit të komunizmit dhe spiunit të Sigurimit të shtetit me damkën “Venusi”.Meqenëse ai u mor me mua, për t’i ruajtur erzin një tjetër hetuesi të komunizmit, si vetja e vet, ne, ndër të tjera i bëmë Sheshit edhe këtë pyetje (ndonëse ai nuk iu përgjigj asnjërës):

– A ke njohje me Nikollë Ricën dhe a të ka premtuar gjë ai kur shqyrtohej puna e “Venusit”?

Po kush është Nikollë Rica? Le ta zbardhim një pjesë të enigmëzës sonë:

Nikoll Rica sot është drejtor i Personelit të Policisë së Shtetit. Bashkëshorten e ka rehatuar pranë Autoritetit gjasmë të hapjes së dosjeve (ku administron, me sa duket, punën e burrit të saj dhe të shokëve të burrit). Para se të vinte këtu ishte këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahirit. Nikolla i përgjigjej negativisht çdo kërkese të ISKK-së për praninë ose jo në Policinë e shtetit të oficerët e Sigurimit apo të kufirit. Jo pa qëllim. Vetë Nikolla kishte qenë komisar kufiri i Repartit 299 Shkodër. Shihni një raport të komisar Nikollës kur ishte 29 vjeç dhe ziente nga urrejtja ndaj armiqve të klasës. I arrestuari prej tij quhej Pjerin Mark Malaj, 20 vjeçar, lindur në Lushnje (internim) dhe banues në Ivanaj. E arrestoi më 31.3.1986. Më pas, Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.127, datë 7.7.1986, e deklaroi fajtor për “tradhti ndaj atdheut” dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

Kjo është veçse një pjesëz e puzzle-s së asaj tabloje gjigande e kriminale, ku ish-spiunë, oficerë sigurimi e kufiri, ish-hetues, gjykatës e prokurorë, janë strukturuar e pleksur si lesh maceje me drejtimin e institucioneve të shtetit. Për çfarë lirie, për çfarë drejtësie, për çfarë transparence mund të flitet nën mësymjen masive të qenve të diktaturës, që kanë këputur zinxhirët? Qytetarë, ruhuni kafshimit.

Image

Modifikuar më Premte, 10 Janar 2020 19:57
Login to post comments