E kishin përshtatur lokalin për konsum droge, arrestohet biznesmeni dhe banakieri në Tiranë

Tuesday, 21 Janar 2020 10:45

Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në lokale.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Shadow”.

Në pranga pronari dhe banakieri i një lokali.

Sekuestrohet 736.4 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, grirëse metalike dhe dy aparate celularë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2,  në vijim të punës për kontrollin e ambienteve dhe lokaleve në të cilat dyshohet se kryhet veprimtari e kundërligjshme, falë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Skënder Luarasi” shpërndahej lëndë narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Shadow”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– B. B., 42 vjeç, banues në Tiranë (pronari i lokalit);

– A. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për dhunë në familje (kamerieri i lokalit).

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi në rrugën “Skënder Luarasi” gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal bar-kafe, me pronar shtetasin B. B. dhe kamerier shtetasin A. B., shërbimet e Policisë gjetën në ambientet e brendshme të lokalit lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të futur në qese plastike dhe në dy kavanoza qelqi.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 736.4 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, grirëse metalike dhe dy aparate celularë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.

Login to post comments