“Nuk marrim frymë”, mjeku reanimator jep detaje për helmimin e nxënësve në Fier: Presim analizat për të zbuluar të vërtetën

Premte, 28 February 2020 15:51

Mjeku reanimator, Kliton Gjerazi, jep detaje për dërgimin me urgjencë në spital të disa nxënësve të gjimnazit në Fier. Mjeku hedh poshtë pretendimet se nxënësit mund të jenë helmuar, duke sqaruar se shenjat që ata kanë shfaqur nuk kanë lidhje me shenjat e helmimit.

Sipas mjekut Gjerazi, në spital janë shtatë nxënës dhe tre arsimtarë, të cilët kanë marrë menjëherë shërbimin mjekësor, ndërsa pritet t’iu bëhen analizat e gjakut dhe ato biokimike për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

“Urgjenca ka reaguar në mënyrë perfekte dhe shumë të shpejtë. Të gjithë nxënësit kanë ardhur me shpejtësi. Është ngritur një ekip pune, ishim të gjithë prezentë. Ankesat ishin kryesisht të sferës respiratorë, nuk marrim frymë, kemi aromë të keqe, provokonin të vjella, por nuk kanë vjellur”, thekson mjeku.

Sipas jush pse mund të ketë ndodhur?
Pacientët thonë se ishte një aromë e keqe, që iu ngacmoi fytin. Helmimi ka kritere të tjera, duhet të kenë konsumuar ushqim ose një lëndë të përbashkët, që të ketë helmim masiv. Nuk kishte asnjë parametër të prishur.

Sa nxënës janë?
Shtatë nxënës dhe tre arsimtare. I ekzaminuam me grafi dhe nuk rezultoi asnjë lloj reperti hormonar. Shqetësimet mund të kenë qenë ndoshta ngaqë është fazë virozësh stinore. Diagnoza jonë nuk është akoma e plotë, pasi atyre iu është marrë analizë gjaku dhe biokimike. Më shumë ishte një atak i tipit të panikut dhe një shqetësim, që nuk di si t’ja vë emrin.

Nuk ka rrezik imediat të jetës, të gjithë janë jashtë rrezikut. Sa të dalin analizat, nëse nuk do të kenë asnjë lloj shqetësimi, do të largohen për në shtëpi. Kur të dalin analizat, do të flasim, por helmimi ka të tjera kritere. Thjesht ishte një aromë e keqe, por ne nuk jemi në luftë kimike apo në Luftën e Parë Botërore, që u hodh gaz dhe u luftua me gaz.

Login to post comments