Leku shqiptar pësoi një rënie të shpejtë në tregun e këmbimit valutor gjatë ditëve të fundit si përkundrejt dollarit ashtu edhe euros, por rënia duket e u përshpejtua gjatë ditës së premte. Euro kushtoi afro 127 lekë sipas kursit mesatar të disa bankave të nivelit të dytë ndërsa dollari kushtoi 117 lekë. Vetëm një ditë më parë, Euro kushtonte 125.4 lekë ndërsa dollari, 114.77 lekë.
Euro kushtonte 122.79 lekë më 12 mars, kohë kur Shqipëria filloi të mbyllet për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Dollari amerikan në të njëjtën datë kushtonte 109.26 lekë.
Që nga ajo ditë, leku është nënçmuar me 3.4% kundrejt euros dhe 2.6% kundrejt dollarit. Leku vijon të mbetet në pozicion shumë të fortë përkundrejt valutave të huaja pasi u forcua ndjeshëm përgjatë një periudhe gati dyvjeçare nga viti 2016 deri në vitin 2018, aludohet për shkak të të ardhurave të larta të vendit nga aktivitetet kriminale të bashkëkombësve tanë në Europë.
Shqipëria u klasifikua si vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave nga Moneyval në fillim të vitit 2020, një Komitet i Ekspertëve të Këshillit të Europës për luftën kundër pastrimit të parave të krimit. Shumë ekspertë shohim tregun e ndërtimit si dhe turizmin si sektorë të qarkullimit të parave të pista në ekonominë shqiptare, ku shpesh kompanitë lindin pa kapitale të dukshme dhe nga sipërmarrës pa historik në biznesin formal./BIRN