Policia e Shtetit njoftoi të premten ndëshkimin e 100 personave me nga 10 mijë lekë gjobë secili pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë e me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë. Ndërsa gjashtë të tjerëve u është bllokuar automjeti dhe janë penalizuar me nga 20 mijë lekë gjobë pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbërta të hapura.
Janë ndëshkuar edhe 45 drejtues mjetesh për shkelje të urdhërit të ndalim qarkullimit të cilëve u janë hequr lejet e drejtimit dhe u janë bllokuar automjetet.
Në Lezhë është arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar i cili është kapur duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në Vlorë një 47 vjeçar i cili lëvizte në këmbë jashtë orarit të lejuar dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Policia ka ndëshkuar me gjobë nga 100 mijë lekë administratorët e 13 njësive tregtare që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes së aktivitetit.
Gjatë javës së fundit janë ndëshkuar qindra qytetarë që kanë shkelur kufizimet e lëvizjeve dhe janë proceduar penalisht dhjetëra administratorë të subjekteve tregtare e farmacive të cilët kanë abuzuar me çmimet gjatë epidemisë COVID-19.
Megjithatë, sërish trafiku në hyrje të Tiranës ishte i lartë. Këto pamje nga Syri TV tregojnë trafikun pak minuta para orës 13:00.