Komuniteti shkencor ndërkombëtar është futur në një garë për të gjetur një kurë për koronavirusin. Edhe pse zbulimi i një vaksine do të marrë kohë, siç pranojnë shumica e ekspertëve, përpjekjet janë duke u intensifikuar në provat klinike të barnave ose një kombinim të barnave, që tashmë janë në treg
Në këtë kontekst, studiuesit australianë nga Universiteti i Mona në Melbourne, arritën që nëpërmjet provave në laborator të vrasin koronavirusin me ilaçin ‘Ivermectin’ jo më shumë se brenda 48 orëve.
‘Ivermectin’ është një ilaç antiparazit, i cili tregtohet në të gjithë botën dhe përdoret gjerësisht për të luftuar morrat e kokës.
Në studimet e kryera studiuesit arritën të provojnë se një dozë e vetme e ‘Ivermectin’ është e mjaftueshme për të ndaluar zhvillimin e virusit SARS-CoV-2.
Sipas drejtuesit të ekipit hulumtues në Institutin e Kërkimeve Biomjekësore në Universitetin e Mona, Dr. Kylie Wegstaff u zbulua se një dozë e vetme e ‘Ivermectin’ hiqte të gjitha viruset e ARN (acidit Ribonukleik), domethënë, i gjithë materiali gjenetik i virusit u hoq në 48 orë, ndërsa ulje të ndjeshme pati pas 24 orësh.
Edhe pse nuk dihet saktësisht si funksionon ‘Ivermectin’ në virus, ilaçi duket se është në gjendje të shtypë aftësinë e këtyre qelizave të rrezikshme për t’u përhapur dhe zhvilluar në trupin e njeriut.
Në fakt, ekspertët thonë se disa viruse të ARN-së përdorin mekanizmin e transportit të një qelize për të dërguar një proteinë në bërthamën e së njëjtës qelizë, në mënyrë që të bllokojnë sistemin imunitar të trupit të njeriut në luftën kundër viruseve.
Shkencëtarët besojnë se ‘Ivermectin’ parandalon procesin e zhvillimit dhe lufton mbrojtjen e virusit COVID-19.
Hapi tjetër për studiuesit tani është përcaktimi i dozës që do të konsiderohet e sigurt për njerëzit.
“Sidoqoftë, para se ilaçi të përdoret nga mjekët për të luftuar koronavirusin, duhet të kalojë në fazën e provave para-klinike tek njerëzit, kështu që financimi do të jetë i nevojshëm”, tha Dr Wegstaff, duke shtuar se “provat do të fillojnë, në rastin më të mirë, pas një muaji”.
“Në kulmin e pandemisë ku po jetojmë, ku nuk ka një trajtim të aprovuar, një ilaç që tashmë është në treg mund të ndihmojë njerëzit më shpejt”, tha ajo, duke shtuar se “është ndryshe të shohësh rezultatet përmes procedurave laboratorike dhe tjetër gjë kur njerëzve u jepet ilaçi ”.
‘Ivermectin’ është një ilaç i njohur tashmë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA) dhe përdoret gjithashtu për të trajtuar në mënyrë efektive viruse të tjera, duke përfshirë HIV, virusin Zika dhe gripin.
Rezultatet e studimit, të kryera nga Instituti i Kërkimeve Biomjekësore të Universitetit të Mona në bashkëpunim me Institutin e Infeksioneve dhe Infeksioneve Peter Doherty, u botuan në revistën prestigjioze mjekësore Antiviral Research.
Ministrja e Shëndetësisë së Victorias, Jenny Mikakou, e cila është me origjinë greke iu referua çështjes, duke thënë se do të ishte “vdekjeprurëse” për qytetarët që të gëlltisin ilaçin për morrat.
“Ne kemi parë njerëz jashtë vendit që kanë qenë të informuar për studime të ngjashme dhe kanë marrë ilaç që nuk duhet ta merrnin, duke rezultuar në vdekjen e tyre,” tha ajo.
Ajo i ka kërkuar qytetarëve që të mos e marrin këtë ilaç, përveç rasteve kur do ta përdorin për morrat në kokat e fëmijëve.
“Nuk ka asnjë arsye për të blerë këtë trajtim morrat, nëse nuk do ta përdorni atë në flokët e fëmijëve tuaj.”
Raportoi lajmin korrespondenti i medias greke ‘Zougla’ nga Melbourne, Dimitris Matheas