Ndonëse apelet e institucioneve shëndetësore synojnë që të mbahet higjiena e pastër dhe të ruhet distanca, familjet të cilat jetojnë nën çadër që nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, janë gjendur vështirësi të dyfishtë.
6 anëtarët e familjes Baku nga fshati Rripë në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit jetojnë në kushte të vështira edhe në këtë situatë shumë të rëndë të krijuar nga Covid-19. Hazis Baku shprehet për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Enver Doçi se megjithë situatën e vështirë, familja e tij mundohet të respektojë rregullat, ndonëse nuk e ka aspak të lehtë për vetë kushtet në të cilat jeton.
Familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit janë në pritje të dëmshpërblimeve apo një banese të re, ndërsa prej një muaji janë të karantinuar në çadër edhe nga koronavirusi. Ata apelojnë që shteti të bëjë diçka për ta, pasi jetesa në çadër është shumë e vështirë.