Me ardhjen e stinës së verës, duket se turizmi i vendeve të prekura nga koronavirusi do të fokusohet në turizmin lokal.
Sipas “Bloomberg”, udhëtimet turistike, fundjavat e pushimet jashtë vendit, me sa duket duhet t’i harrojmë për të paktën 6 muaj. Ekspertët e sëmundjeve infektive theksojnë se udhëtimet ndërkombëtare nuk janë fare në diskutim për shkak të pandemisë së COVID-19, kështu që do duhet të shijojmë vendet më të bukura të Shqipërisë dhe tani që po ngrohet koha, vendet bregdetare do jenë destinacion kryesor.
Shkrimi i Bloomberg
Me ritmet e infeksionit të koronavirusit që ngadalësohen në disa nga vendet më të goditura, qeveritë tani po peshojnë nëse së shpejti mund të jenë në gjendje të lehtësojnë kufizimet për të shmangur dëmtimet e mëtejshme në ekonomitë e tyre. Qeveritarët besojnë se pak nga pak do të nisin të lehtësojnë disa nga masat, por jo të gjitha, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi një valë e dytë epidemie mund të kthehet edhe më fort, nëse ulim vigjilencën ndaj këtij virusi.
Me temperaturat që janë gjithnjë e më në rritje dhe me njerëzit të tunduar për të dalë jashtë shtëpive të tyre në ditët me kohë të bukur, paralajmërimet shtohen. Edhe pse pranvera ka ardhur dukshëm, nuk ka asnjë diferencë për zbatimin e rregullave të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit (shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se nuk ka lidhje mes temperaturave të larta dhe rezistencës së virusit). Por, për këtë vit, ne duhet të harrojmë edhe turizmin veror ndërkombëtar. Masat do të vazhdojnë, dhe me shumë gjasa, edhe në rastin e kthimit të fluturimeve ndërkombëtare, shumë vende pritet të mbajnë në fuqi rregullat e karantinimit 14-ditor në rastet kur njerëzit vijnë nga jashtë shtetit.
Kjo do të thotë se këtë vit turizmi do të jetë vetëm lokal.
Në një intervistë në prestigjiozen “Bloomberg”, Peter Collignon, një mjek i sëmundjeve infektive dhe profesor i mjekësisë klinike në Shkollën Mjekësore të Universitetit Kombëtar të Australisë, ka treguar se si vendet mund të kthehen ngadalë në normalitet, kur shkalla e infeksionit të bjerë dhe kufizimet të jenë lehtësuar.
Me linjat ajrore që shpresohet të kthehen në funksion, profesor Collignon tha se “Udhëtimi ndërkombëtar duhet të përjashtohet për të paktën gjashtë muaj. Mendoj se udhëtarët do të karantinohen për dy javë. Ne me të vërtetë kemi nevojë për më shumë informacion para se të dimë se kur të heqim kufizimet. Unë nuk besoj se kanë siguri për udhëtimin e njerëzve. Nuk mund ta imagjinoj udhëtimin ndërkombëtar për një turist për të paktën gjashtë muaj”.
Sa për heqjen e kufizimeve, Collignon beson se “Treguesi kryesor që duhet të përdorim është cili është niveli aktual i infeksioneve të reja brenda komunitetit, me fjalë të tjera, çfarë po ndodh me kurbën e epidemisë. Nëse kurba e epidemisë po vazhdon të rritet, do të thotë që nuk e keni nën kontroll epideminë dhe madje do të duhet të mendoni për vendosjen e kontrolleve të reja. Por nëse kurba e epidemisë po bie ose në një nivel të ulët, por të qëndrueshëm, atëherë gradualisht mund të filloni të mendoni për heqjen e disa prej kontrolleve. Ky virus ka të ngjarë të jetë rrotull për të paktën për dy vjet, që do të thotë se të gjitha masat që kemi – larja e shpeshtë dhe e gjatë e duarve, distanca fizike sociale – mund të duhet të vazhdojë për një kohë”.
Collignon theksoi se ishte esenciale që të kryhen në mënyrë rutinë testime të vazhdueshme. “Covid-19 duhet të jetë pjesë e testeve rutinë. Ne gjithashtu duhet të testojmë ujërat e zeza, të cilat mund të jenë mënyra më e mirë për të testuar tërë komunitetin. Kemi po ashtu nevojë për testimin e antitrupave për të kuptuar se çfarë përqindje e komunitetit është ekspozuar ndaj virusit dhe ka imunitet”.
Sipas profesorit, “Një vaksinë e sigurt dhe efektive nuk ka të ngjarë të jetë e disponueshme në sasi të mëdha për 18 muaj deri në dy vjet. Sa kohë që i mbajmë të mbyllura restorantet, për shembull, do të varet nga përhapja brenda komuniteteve”.
Sa për mbajtjen e maskave të fytyrës, ai tha se “mund të ketë një efekt më të madh në mbrojtjen e komunitetit nga individë të infektuar dhe përfitimi i maskave prej rrobe është se ato mund të lahen në shtëpi në ujë të nxehtë dhe të thahen në diell, duke ruajtur maskat kirurgjikale për stafin mjekësor”.
Rrezikut të një vale të dytë epidemie, profesori iu përgjigj se “mund të ketë disa njerëz që infektohen dy herë, por aktualisht besojmë se është e pazakontë. Shumica dërrmuese e njerëzve që shërohen nga Covid-19 duket se zhvillojnë imunitet mbrojtës. Pyetja është se sa zgjat ajo mbrojtje”.
Dhe ai kërkoi të bëhet shumë kujdes me rastet asimptomatike.
Duke përmendur gripin e shpendëve, SARS, MERS, pandeminë e gripit të derrit dhe shpërthimet e Ebola-s, profesori tha se shumica e sëmundjeve që janë shfaqur si probleme për njerëzit kanë ardhur nga kafshët. SARS-CoV-2 është vetëm një shembull. Sa më shumë që shqetësojmë mjedisin, aq më shumë kemi rritje të popullsisë, aq më bujqësi intensive kemi pa biosigurinë e duhur, aq më i lartë është rreziku”. Këshilla e tij ishte shmangia e kontaktit të ngushtë të njeriut me kafshët ekzotike.