Nga Luan Haka
Situata me të cilën po përballet vendi, si pasojë e Covid 19, ka nevojë jo thjesht për masat ekstreme të cilat po tentohen të futen dhe në Kodin Penal, por edhe për një paketë mbështetëse për familjarët dhe biznesin, me qëllim që kriza të mos i dëmtojë. Deri më sot paketa e qeverisë nuk është aspak bindëse e vërtetuar kjo dhe në sondazhe, ku mund të përmendim sondazhin e "Opinion" ku 88% e qytetarëve votuan se nuk e gjenin veten tek paketa "Rama". Shqipëria nuk po arrin që, me paketat mbështetëse të jetë as dhe në nivelin e vendeve të rajonit të cilat thuajse kanë dyfishin e buxhetit të Shqipërisë si dhe mjaft lehtësira të tjera fiskale siç është dhe rasti i Maqedonisë fqinje.
Edhe Pushteti Vendor, Bashkitë, si dera e parë ku troket qytetari, nuk kanë aspak preokupimin që në këtë situatë të iu gjenden qytetarëve dhe bizneseve përmes paketave stimuluese me qëllim ardhjen në ndihmë dhe përballimin sa me sukses të krizës. Bashkia nuk duhet ta trajtojë vetën vetëm si taksidare, por, si institucion që mbahet nga taksat, të iu gjendet kësaj here taksapaguesve në këtë moment të vështirë.
Bashkia Dibër, sikur është në gjumë. Nga kryetari, zyrtarët, si dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk kanë asnjë iniciativë konkrete (duhet ta kishin miratuar ndërkohë), për të qenë pranë qytetarëve dhe biznesit për krijimin e lehtesirave përmes përjashtimit nga disa taksave dhe tarifa.
Unë do bëja këto propozime:
1. Të gjithë taksapaguesit, biznese dhe familjarë, duhet të përjashtohen nga pagesat e taksës së pasurisë dhe tarifa e shërbimeve publike për periudhën e distancimit social e që zgjat 3 muaj pas përfundimit të saj.
2. Bizneset që nuk kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas Urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë, të përjashtohen nga çdo taksë për një periudhë 6-mujore pas rifillimit të aktivitetit.
3. Duhet rishikuar tarifa e ujit të pijshëm, për një periudhë 3-mujore duhet të përgjysmohet, ndërkohë familjet që marrin ndihmë ekonomike, familjet e tjera në nevojë nuk duhet të paguajnë.
4. Vëmendje të veçantë duhet edhe për fermerët. Taksa e tokës bujqësore nuk ka sens për vitin 2020. Duhet plan konkret për tu ardhur në ndihmë familjeve fermere që pikerisht aty kanë të bazuar ekonominë familjare, si dhe u duhen garantuar inpute bujqësore.
5. Çdo vendim në lidhje me biznesin të merret duke u konsultuar me një përfaqesuesi të tyre.
Autori është Sekretar i Degës së PD, dega Dibër