Personeli mjekësor i Njësisë Vendore të Shëndetit në Durrës, është ngritur mëngjesin e sotëm në një protestë duke kërkuar plotësimin e 4 kërkesave, ndër të cilat shpërblimin për punën e tyre në frontin e parë të luftës për parandalimin e infektimin e popullatës nga Covid-19.
Kryetari i Konfederatës së Sindikatës të Shëndetësisë Durrës, Zija Alhysa, ka shprehur para kamerave shqetësimin për mungesën e transparencës, lidhur me shpërblimet ndaj punonjësve të shëndetësisë të premtuar nga qeveria.
Sipas tij, nga 22 punonjës që ka kjo njësi, 12 prej tyre kanë marrë shpërblime, ndërsa pjesa tjetër nuk ka marrë asnjë përgjigje se përse nuk kanë qenë përfitues.
Alhysa thekson se punonjësit nuk kanë marrë shpërblim që nga koha e tërmetit të 26 nëntorit deri më sot; për punën shtesë, që kanë punuar 60 orë në javë nga 40, apo ditët e festave dhe ditët e pushimit.
‘Kam ditë që kërkoj të njihem me vendimin e qeverisë dhe urdhërin e Ministrisë si dhe me listën emërore të punonjësve të Njësisë Vendore të Shëndetit Durrës që janë përfitues të shumës së dhënë nga Qeveria. Përgjigja ka qenë e prerë, nuk t’i jap dhe çtë duhet ty.
Shërbimi Epidemiologjik dhe Laboratori Mikrobiologjik e kanë të cilësuar nga kryeministri që duhet të përfitojnë shpërblimin e qeverisë sepse janë çdo ditë në vijë të parë të luftës me koronavirusin. Por lista është bërë e fshehtë pa e marrë vesh njëri’, thotë Hysa.
Kjo drejtori deri më sot ka analizuar mbi 2000 tamponë dhe i gjithë personeli është çdo ditë në përballje me Covid-19.
‘Mosorganizimi i punës; mosrespektimi i etikës; mosvlerësimi i punës dhe mungesa e shpërblimit, janë arsyet që jemi ngritur në protestë’, thotë mjeku Nestor Mesurni.