Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në ndërhyrjet e saj për të lehtësuar pasojat e krizës që po shkakton në ekonomi kufizimi i aktiviteteve për të frenuar përhapjen e infeksionit të Covid-19.
Ulja e normës bazë, lehtësimi i kërkesave rregullatore për ristrukturimin e kredisë për bizneset e individët, pezullimi i shpërndarjes së dividendëve të bankave, garantimi i likuiditetit dhe shërbimeve të pagesave, kanë qenë disa nga masat e ndërmarra, gjithnjë në funksion të objektivit të saj kryesor, ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thotë në një intervistë të posaçme për Monitor se hapi tjetër mund të jetë ai i lehtësimit sasior, që synon rritjen e vëllimit të likuiditetit në ekonomi, në momentet kur konstatohen mungesa të tij. Përdorimi i këtij instrumenti nënkupton blerjen nga banka qendrore të letrave me vlerë të qeverisë në tregun dytësor.
Me fjalë të tjera, në bilancet e bankave tregtare do të ketë më pak letra me vlerë të qeverisë dhe më shumë likuiditet, të disponueshme për financimin e sektorit privat. Sejko thotë se aktivizimi i tij do të kryhet në rast se konstatohet nevoja për përdorimin e tij.
Banka e Shqipërisë sot ka 3.2-3.3 miliardë euro si rezerva valutore, por guvernatori thotë se përdorimi i saj bëhet vetëm në raste mjaft të veçanta dhe jemi ende mjaft larg plotësimit të premisave që mund ta aktivizonin këtë instrument. Rasti i fundit kur është përdorur rezerva valutore, jo në funksion të stabilitetit monetar e financiar të vendit, por për të zbutur pasojat e një krize ekonomike, është fundi i viteve ’80. Guvernatori Sejko pohon se fondet e nevojshme për adresimin e pasojave të goditjes me të cilën po përballemi mund të sigurohen në tregun lokal dhe në monedhën tonë kombëtare.
As opsioni tjetër ai i “Helicopter money ” nuk është aspak i zbatueshëm. “Përdorimi i operacioneve të tipit helicopter money nga bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim, deri më sot, mbetet një opsion teorik, i pazbatuar në praktikë”. Një operacion i tillë, ku shpërndarja e parave nuk do të mbështetej nga nevojat reale të ekonomisë, do të çonte në rritjen e inflacionit, do të ngarkonte Bankën e Shqipërisë me humbje, çka do të transferohej në një rritje të borxhit publik.
Ndërsa është e pashmangshme që ekonomia këtë vit pritet të pësojë humbje të mëdha, guvernatori Sejko është optimist se ndonëse goditja që po kalojmë është mjaft e fortë, përgjigjja e koordinuar e politikave makroekonomike krijon premisa për rikuperimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik pas përfundimit të saj. Gjithsesi, “në rast se kriza zgjatet dhe perspektiva ekonomike bëhet dhe më sfiduese, autoritetet publike duhet të marrin në konsideratë një rritje të mëtejshme të stimulit ekonomik, por kjo është diçka për të cilën ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të vëmendshëm”.
Cili është roli kryesor i Bankës Qendrore?
Banka e Shqipërisë është ngritur dhe operon në bazë të praktikave më të mira të bankingut qendror.
Kushtetuta e Republikës të Shqipërisë dhe Ligji për Bankën e Shqipërisë i ofrojnë asaj një mandat të qartë: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, një listë detyrash të cilat mbështesin realizimin e objektivit kryesor, ku më e rëndësishmja është mbikëqyrja dhe rregullimi i sektorit bankar, si dhe pavarësi institucionale, operacionale dhe financiare për përmbushjen e tyre.
Përcaktimi i stabilitetit të çmimeve, si objektiv kryesor i Bankës së Shqipërisë, bazohet në teorinë dhe eksperiencën botërore të akumuluar prej shumë vitesh. Konsensusi i filozofisë të rregullimit ekonomik konvergon në faktin se stabiliteti i çmimeve është një parakusht esencial për rritjen afatgjatë ekonomike të vendit, për mirëqenien e shoqërisë dhe barazinë sociale, si dhe për stabilitetin financiar.
Në Shqipëri, përmbushja e këtij objektivi realizohet nëpërmjet hartimit e zbatimit të një politike monetare të pavarur, të mbështetur në parime dhe instrumente moderne, dhe të operacionalizuar në përputhje të plotë me parimet e tregut të lirë. Në thelb të kësaj politike, qëndron përcaktimi i një niveli normash interesi, i cili mban ekonominë pranë nivelit të saj potencial, çka nxit punësim të plotë, inkurajon një rritje të pagave reale në linjë me produktivitetin, ruan gjendje të qëndrueshme financiare të bizneseve dhe krijon premisa për një rritje çmimesh në linjë me objektivin tonë të inflacionit.
Paralelisht me objektivin e saj kryesor, Banka e Shqipërisë ka një listë të gjatë detyrash, pjesa më e madhe e të cilave janë ekskluzive të saj dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Së pari, Banka e Shqipërisë kujdeset dhe për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit bankar, duke pasur si objektiv të punës së saj krijimin e institucioneve bankare të besueshme për ruajtjen e kursimeve të publikut dhe të afta për kreditimin e biznesit dhe familjeve.
Së dyti, Banka e Shqipërisë kujdeset për shtypjen dhe emetimin e monedhës e kartëmonedhës, duke i ofruar ekonomisë dhe publikut shqiptar një instrument fizik pagese të sigurt dhe në nivelin e kërkesës së tij. Po ashtu, Banka e Shqipërisë kujdeset për rregullimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të pagesave elektronike në vend, duke i ofruar ekonomisë dhe publikut shqiptar platforma dhe instrumente të besueshme e me kosto të ulët.
Stabiliteti i çmimeve, licencimi, mbikëqyrja dhe rregullimi i sektorit bankar, si dhe mirëmbajtja e parasë fizike dhe e sistemeve të pagesave elektronike, janë elemente të rëndësishme në arkitekturën e stabilitetin financiar.
Përtej tyre, Banka e Shqipërisë kontribuon në këtë drejtim nëpërmjet ngritjes dhe monitorimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, nëpërmjet ngritjes dhe mirëmbajtjes së kuadrit ligjor e rregullator për ndërhyrjen e jashtëzakonshme, si dhe nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Së treti, Banka e Shqipërisë kujdeset për administrimin e rezervave valutore të vendit, në përputhje me praktikat më të mira të fushës.
Së katërti, Banka e Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm këshillimi për sektorin publik dhe privat të vendit, nëpërmjet dhënies së opinioneve mbi situatën dhe zhvillimet e pritura ekonomike, nëpërmjet dhënies së opinioneve mbi gjendjen e stabilitetit financiar, si dhe nëpërmjet dhënies së opinioneve mbi akte të rëndësishme ekonomike, si Buxheti i Shtetit apo projektligje të cilat prekin aktivitetin e sistemit financiar të vendit.
Gjithashtu, ne kemi adoptuar edukimin financiar të publikut, si një drejtim prioritar të punës sonë, duke synuar rrënjosjen e kulturës së administrimit të financave personale, si një aspekt esencial i kulturës së përgjithshme në një ekonomi tregu.
Së pesti, Banka e Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm në integrimin e vendit. Ky rol nuk është thjesht dhe vetëm në procesin e integrimit europian të vendit, ku ne kemi detyrat tona në fushën e integrimit të tregjeve dhe sistemeve financiare, por dhe më gjerë. Ai nënkupton punën e vazhdueshme për tërheqjen e investitorëve të huaj, si dhe integrimin me platformat ndërkombëtare të tregtimit financiar.
Paralelisht me to, ne kemi një kontribut të qenësishëm në zhvillimin e statistikave të vendit, në debatin akademik dhe profesional mbi strategjitë e zhvillimit, etj..
Të gjitha këto mund t’i përmblidhja duke thënë: një bankë qendrore me mandat të qartë ligjor, e pavarur, profesionale dhe transparente, është një parakusht i domosdoshëm për zhvillimin e sektorit financiar dhe rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Jam i bindur se Banka e Shqipërisë i plotëson të gjitha këto premisa.
Çfarë instrumentesh përdor Banka e Shqipërisë në funksion të objektivave të saj kryesorë?
Politika monetare bazohet në një kuadër modern instrumentesh, të bazuar në parimet e tregut të lirë. Me fjalë të tjera, Banka e Shqipërisë kujdeset për krijimin e kushteve të përshtatshme monetare – dhe këtu u referohem normave të interesit dhe sasisë së likuiditetit – por ajo ka vetëm një ndikim indirekt në normat e interesit me të cilat bankat operojnë me klientët e tyre.
Gjithashtu, më lejoni të theksoj se në bazë të ligjit, partnerë ekskluzivë të Bankës së Shqipërisë, në zbatimin e politikës monetare janë bankat e tregtare që operojnë në vend. Ne nuk mund të kryejmë operacione me entitete të tjera komerciale, biznese, familje apo operatorë të tjerë të tregut financiar.
Më konkretisht, instrumenti ynë kryesor janë marrëveshjet e riblerjes dhe ato të anasjella të riblerjes me afat njëjavor, të cilat – në thelb – janë hua afatshkurtra, të cilat Banka e Shqipërisë ju vë në dispozicion bankave tregtare për të përmbushur nevojat e tyre. Norma e interesit të këtyre operacioneve, e cila njihet dhe si norma bazë e interesit, përfaqëson normën më të rëndësishme të interesit në sistemin financiar dhe pikënisjen e përcaktimit të të gjitha normave të instrumenteve të tjerë financiarë, si depozita, kredi apo instrumente borxhi të sektorit publik dhe privat.
Paralelisht me instrumentin e marrëveshjeve të riblerjes – dhe në mbështetje të tij – Banka e Shqipërisë mban dhe operon instrumentet e depozitës dhe të kredisë njëditore, të cilat së bashku kufizojnë nivelin e luhatjeve të normave të interesit në tregun ndërbankar, rezervën e detyrueshme mbi depozitat në lekë dhe në valutë, si dhe orientimin e tregut mbi të ardhmen e politikës monetare.
Pjesë e arsenalit të instrumenteve të politikës monetare janë dhe injektimet afatgjata të likuiditetit – me afat deri në tre muaj, dhe në raste ekstreme dhe ndërhyrjet në tregun valutor. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë mund të kryejë dhe operacione tërheqjeje apo injektimi të përhershëm të likuiditetit në sektorin bankar, nëpërmjet shitjes apo blerjes me të drejta të plota të letrave me vlerë të qeverisë në to. Këto operacione tashmë njihen gjerësisht si operacione të lehtësimit monetar dhe bëjnë pjesë në arsenalin e instrumenteve jokonvencionale të politikës monetare.
Në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, Banka e Shqipërisë përcakton kriteret dhe rregullat e operimit të sektorit bankar, duke vendosur kushtëzime për nivelin e kapitalit dhe likuiditetit të sektorit bankar, duke vendosur kufizime mbi aktivitetet e lejuara prej bankave dhe shkallën e rrezikut, të cilat ato mund të marrin përsipër, si dhe duke u kujdesur që bankat të kenë struktura të qëndrueshme dhe eficiente të administrimit dhe të monitorimit të rrezikut
Sa është rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë dhe në çfarë rastesh përdoret ajo?
Së pari, më lejoni të theksoj se rezervat valutore janë një ankorë e rëndësishme e stabilitetit monetar e financiar të vendit, si dhe element i rëndësishëm i kredibilitetit të tij në investitorët e huaj.
Në këndvështrimin e stabilitetit financiar, rezervat valutore mundësojnë aftësinë e Bankës së Shqipërisë për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të bankave për likuiditet në valutë, duke garantuar, edhe në prani të problemeve të paparashikuara, funksionin normal të tyre. Në këtë mënyrë, një nivel i mjaftueshëm i rezervave valutore ul primet e rrezikut të industrisë bankare dhe financiare në Shqipëri, duke nxitur dhe interesin e investitorëve vendas dhe të huaj për të operuar në të.
Në këndvështrimin e stabilitetit monetar, rezervat valutore i mundësojnë Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë në tregjet valutore vendase në rast të problemeve serioze të funksionimit të tyre, apo në rast të luhatjeve të forta e të dëmshme të kursit të këmbimit. Në këtë këndvështrim, ato ofrojnë një instrument shtesë të kontrollit monetar.
-Në këndvështrimin e kredibilitetit, rezervat valutore garantojnë investitorët e huaj, në rast të krizave të forta valutore të vendit, të cilat cenojnë – në afatin e shkurtër – aftësinë paguese të sektorit publik dhe privat të vendit. Në këtë rast, rezerva valutore shërben si një instrument garancie për kreditorët e huaj, që ekonomia shqiptare ka valutën e nevojshme për respektimin e detyrimeve të saj. Për këtë arsye, një nivel i përshtatshëm rezervash valutore është esencial për të ulur kostot e huamarrjes të sektorit publik dhe privat në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Nisur nga roli i rezervës valutore, përdorimi i saj bëhet vetëm në raste mjaft të veçanta. Duke analizuar rrethanat ekonomike dhe financiare të vendit, gjykoj se jemi ende mjaft larg plotësimit të premisave të përdorimit të rezervës valutore. Stabiliteti monetar dhe financiar i vendit mbetet solid, sektori bankar nuk shfaq probleme të mungesës së likuiditetit në valutë, vendi është larg kërcënimit të aftësisë paguese të borxhit të huaj dhe qeveria po procedon me emetimin e një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare për plotësimin e nevojave të saj.
Po ashtu, dhe në gjykimin tonë po aq e rëndësishme, fondet e nevojshme për adresimin e pasojave të goditjes me të cilën po përballemi mund të sigurohen në tregun lokal dhe në monedhën tonë kombëtare, Lekun. Banka e Shqipërisë ka instrumente të bollshme për plotësimin e nevojave për fonde të ekonomisë në lekë, instrumente të cilat në analizë të fundit shfaqin kosto më të ulët se përdorimi i rezervës pasi Banka e Shqipërisë ka një kontroll të plotë mbi to. Së fundi, gjej me vend të theksoj se rasti i fundit kur është përdorur rezerva valutore, jo në funksion të stabilitetit monetar e financiar të vendit, por për të zbutur pasojat e një krize ekonomike, është fundi i viteve ’80.
Në periudhën imediate të ndryshimit të sistemit politik të vendit dhe fundit të regjimit komunist, në prani të turbullirave të forta ekonomike dhe sociale, Shqipëria u detyrua ta përdorte rezervën valutore për të paguar faturat e importeve të mallrave jetike për vendin. Besoj se Shqipëria është mjaft larg një situate të ngjashme.
Aktualisht, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është rreth nivelit 3.2-3.3 miliardë euro. Përtej nivelit nominal, kjo rezervë është në përputhje me kriteret tona të vlerësimit të mjaftueshmërisë së saj. Ajo shërben për të mbuluar mbi 6 muaj importi mallrash e shërbimesh dhe mbi 150% të borxhit të jashtëm afatshkurtër të vendit.
Cilat janë mekanizmat që ka në dorë Banka e Shqipërisë për të ndërhyrë në raste krizash si kjo që po kalon ekonomia, si rrjedhojë e COVID-19?
Mekanizmat tanë për adresimin e krizave varen nga origjina dhe pasojat e saj. Goditjet mbi sektorin real të ekonomisë, qofshin ato që prekin nivelin e aktivitetit ekonomik, qofshin ato që prekin nivelin e çmimeve – si rregull, adresohen nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të politikës monetare. Qëndrimi i politikës monetare lehtësohet nëse goditja ka pasoja negative në ekonomi dhe efekt rënës në inflacion dhe anasjelltas.
Në të kundërt, krizat që kanë origjinë sektorin financiar, duhen adresuar nëpërmjet një kombinimi të instrumenteve të politikës makro-prudenciale – me synim garantimin e stabilitetit financiar – dhe të politikës monetare, për adresimin e pasojave negative që kriza financiare mund të ketë në ekonomi.
Goditja me të cilën po përballemi kërkon një përgjigje gjithëpërfshirëse nga autoritetet publike. Ajo kërkon përdorimin e stimulit fiskal, si instrumenti parësor për të dhënë stimuj të targetuar në bizneset dhe familjet shqiptare. Për bizneset, lehtësimi i përkohshëm i barrës tatimore dhe garancitë publike të rrezikut të kredisë, ndihmon në rritjen e likuiditetit të tyre. Për familjet, kompensimi i një pjese të të ardhurave të munguara ndihmon në ruajtjen e fuqisë blerëse dhe pakëson pasojat sociale të goditjes.
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka vënë në përdorim instrumentet e saj të politikës monetare, ka kryer ndryshime të kuadrit rregullator të sektorit bankar, si dhe ka marrë masa të ndryshme rregullatore dhe operacionale që garantojnë mbarëvajtjen e aktivitetit të sektorit bankar dhe sistemit të pagesave.
Në çdo rast, filozofia jonë ka qenë të ofrojmë gjithë stimulin e nevojshëm për tejkalimin e situatës, por pa paragjykuar stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe pa dëmtuar bilancet e sektorit bankar. Në vizionin tonë, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar është një parakusht i domosdoshëm për rikuperimin e ekonomisë me përfundimin e pandemisë.
Goditja e këtij stabiliteti, vendosja e sektorit bankar dhe financiar në kushte pamundësie për të kryesor funksionin e tij të ndërmjetësimit të fondeve në ekonomi, do ta shndërronin këtë goditje në një krizë të tejzgjatur për ekonominë e vendit.
Konkretisht, si i ka përdorur këta mekanizma dhe si e mat efikasitetin e tyre?
Sikundër mund ta dini, ne kemi ulur normën bazë të interesit, për të ulur çmimin e kredive të reja dhe koston e shërbimit të borxhit ekzistues dhe kemi rritur furnizimin me likuiditet të sektorit bankar. Në fushën e rregullimit bankar, ne kemi lehtësuar kërkesat rregullatore mbi ristrukturimin e kredisë dhe kemi inkurajuar bankat të ofrojnë shtyrje të pagesës së këstit të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme. Po ashtu, ne kemi pezulluar përkohësisht shpërndarjen e dividendëve në industrinë bankare, duke synuar ruajtjen e nivelit të kapitalizimit të sektorit bankar dhe të aftësisë së tij për kreditim.
Paralelisht me to, ne kemi marrë dhe një sërë masash të tjera për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit të sektorit bankar, për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave, si dhe për të siguruar furnizimin e ekonomisë me para fizike, monedha dhe kartëmonedha.
Në opinionin tim, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë deri tani masat e duhura, në kohën e duhur. Dëshiroj të përsëris që ne kemi qenë dhe do të vijojmë të jemi mjaft të kujdesshëm ndaj stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.
Vlerësimi i plotë i efektivitetit të tyre do të kërkojë kohën e vet. Megjithatë, ajo që mund të them është se këto masa i kanë përmbushur objektivat minimalë operacionalë.
Së pari, aktiviteti i tregut financiar mbetet nën kontroll. Likuiditeti lëviz lirisht në treg, pa ngërçe apo bllokime, ndërsa treguesit e luhatshmërisë mbeten në nivele të pranueshëm: ndonëse të rritur, ata nuk janë në nivele të tilla sa të frenojnë tregtimin.
Së dyti, sektori bankar ka reaguar pozitivisht ndaj masave tona rregullatore, duke proceduar me shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë – çka dëshiroj të theksoj se shkon në dëm të rezultatit financiar të këtij sektori në afatin e shkurtër – dhe duke vazhduar mbështetjen e tij me fonde për bizneset dhe sektorët në vështirësi.
Mendoj se – në një plan më të gjatë kohor – suksesi i punës sonë do të matet nga shkalla e kufizimit të dëmeve në ekonomi, nga ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit. si dhe nga shpejtësia e ringritjes së ekonomisë pas përfundimit të goditjes.
Si e realizon banka politikën e lehtësimit sasior dhe a ka në plan që ta përdorë konkretisht së shpejti?
Instrumenti i lehtësimit sasior është pjesë e kuadrit jokonvencional të masave të politikës monetare.
Qëllimi i përdorimit të këtij instrumenti është rritja e vëllimit të likuiditetit në ekonomi, në momentet kur konstatohen mungesa të tij, ose në momentet kur normat e interesit në tregun financiar rriten, duke dëmtuar transmetimin e politikës monetare dhe duke vështirësuar aksesin në kredi të sektorit privat.
Në terma operacionalë, përdorimi i këtij instrumenti nënkupton blerjen nga banka qendrore të letrave me vlerë të qeverisë në tregun dytësor. Me fjalë të tjera, në bilancet e bankave tregtare do të ketë më pak letra me vlerë të qeverisë dhe më shumë likuiditet, të disponueshme për financimin e sektorit privat.
Sikundër e thashë, ky është një instrument jokonvencional i politikës monetare, pasi ai përfaqëson një injektim të përhershëm likuiditeti në sistem. Për këtë arsye, përdorimi i tij bëhet vetëm në raste specifike, të cilat unë i parashtrova më sipër, dhe për periudha të kufizuara kohore.
Pa dashur të paragjykoj vendimmarrjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, mund të them se përdorimi i këtyre instrumenteve është pjesë e planit tonë të kontingjencës, por aktivizimi i tij do të kryhet në rast se konstatohet nevoja për përdorimin e tij. Sa më sipër, gjej me vend të theksoj se – në mënyrë indirekte – opsioni i përdorimit të instrumenteve të lehtësimit sasior e bën dhe më të largët nevojën e përdorimit të rezervës valutore.
Paraja në qarkullim ka pasur rritje të shpejtë gjatë javëve të fundit. Çfarë tregon kjo për politikat tuaja? Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pritet të hedhë në treg prerje të reja 1.000 dhe 10.000 lekë. Pse ky veprim?
Më lejoni të sqaroj publikun se rritja e parasë fizike në qarkullim nuk është rezultat i politikave të Bankës së Shqipërisë, por i kërkesës së tregut për të. Ka dy momente të rëndësishme për të kuptuar këtë.
Paraja fizike përfaqëson vetëm një pjesë të mjeteve të pagesës në ekonomi. Pjesa tjetër e këtyre mjeteve përbëhet nga depozitat dhe llogaritë rrjedhëse, kartat e kreditit, apo instrumente të tjera të parasë elektronike. Paraja fizike mund të konvertohet lirisht në format e tjera të parasë elektronike dhe anasjelltas.
Është zgjedhje e individëve dhe bizneseve nëse mjetet e tyre të pagesës do t’i mbajnë në formë të parasë fizike, apo në formë llogarish rrjedhëse, depozitash pa afat, letrash me vlerë të qeverisë, apo diçka tjetër.
Detyra jonë si Bankë Shqipërie është t’i përgjigjemi ndryshimit në kohë dhe në strukturë të preferencës së ekonomisë për formën e mjeteve monetare.
Kjo do të thotë se nëse operatorët e ekonomisë duan të përdorin më shumë para fizike në transaksionet e tyre, atëherë ne do të furnizojmë më shumë cash dhe anasjelltas. Ky është një element esencial i kontratës që kemi me publikun, në mënyrë që ky publik të ruajë besimin te monedha jonë kombëtare – por kjo nuk përfaqëson apo lidhet direkt me politikat tona monetare apo financiare.
Banka e Shqipërisë ka marrë të gjithë vendimet e nevojshme dhe ka angazhuar strukturat e saj në plotësimin e kërkesave të tregut me para fizike. Për të ilustruar këtë, sjell në vëmendje disa tregues:
Në katër muajt e parë të këtij viti, paraja në qarkullim është rritur me 9.9 miliardë lekë kundrejt pakësimit me -1.3 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm në muajin prill, sasia e parasë në qarkullim është rritur me 6.7 miliardë lekë, kundrejt pakësimit me 0.7 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e parasë në qarkullim është mbështetur nëpërmjet sigurimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cila jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë ka nisur që në vitin 2019 procedurat për shtypjen e kartëmonedhave të serisë së re me vlerë 1000 dhe 10 000 lekë, me synim hedhjen e tyre në qarkullim brenda tremujorit të katërt të këtij viti.
Shtypja e kartëmonedhave të reja 1000 dhe 10 000 lekë është pjesë e vijimësisë së Bankës së Shqipërisë për të garantuar në çdo moment furnizimin e ekonomisë me para të gatshme. Për këtë arsye, dëshiroj t’i garantoj të gjithë se tregu nuk ka dhe nuk do të ketë mungesa të parasë fizike.
Në një këndvështrim afatgjatë, ne jemi të ndërgjegjshëm se ekonomia shqiptare ka një përdorim të lartë të parasë fizike. Ky përdorim pasqyron shkallën e kulturës financiare, shkallën e informalitetit, por dhe zhvillimin e sofistikimin e sistemit financiar. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka marrë një sërë aksionesh, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut, për të zhvilluar sistemin e pagesave, si dhe për të inkurajuar formalizmin e ekonomisë.
Si e shihni opsionin e helicopter money. Cilat janë avantazhet dhe dizavantazhet dhe a do të ishte zgjidhje në këtë situatë?
Banka e Shqipërisë, si çdo bankë qendrore, nuk ‘dhuron’ para. Në çdo rast, operacionet tona të injektimit të likuiditetit kanë formën e kredisë, kredi e cila jepet gjithnjë kundrejt kolateralit, apo kanë formën e blerjes së aseteve financiare, të cilat janë likuide dhe me rrezik të ulët. Ky moment është mjaft i rëndësishëm. Ai nënkupton që vëllimi i likuiditetit që ne hedhim në treg i korrespondon nevojave reale të ekonomisë – çka është një parakusht për stabilitetin e çmimeve.
Po ashtu, ai nënkupton se bilanci i Bankës së Shqipërisë është solid dhe pozicioni i saj i kapitalit, i qëndrueshëm, duke mos cenuar qëndrueshmërinë e financave publike. Për këtë arsye, përdorimi i operacioneve të tipit helicopter money nga bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim, deri më sot, mbetet një opsion teorik, i pazbatuar në praktikë.
Prerja e parave, në kuptimin që ka marrë së fundi, u referohet shpesh operacioneve të ‘dhurimit’ të parave nga autoritetet publike për bizneset apo familjet në nevojë. Duke ju referuar këtij interpretimi të pyetjes, dëshiroj të theksoj se kryerja e operacioneve të ngjashme nga Banka e Shqipërisë është e pamundur. Së pari, sepse nëse realizohet nga banka qendrore, bie ndesh me objektivin tonë kryesor – stabilitetin e çmimeve, dhe për këtë arsye nuk është i lejuar nga kuadri ligjor që rregullon punën e institucionit tonë.
Së dyti, pasi operacione të ngjashme do të ngarkonin me humbje bilancin e Bankës së Shqipërisë, e cila do të duhej të transferohej në buxhetin e shtetit. Me fjalë të tjera, këto operacione nënkuptojnë një përkeqësim të borxhit publik të vendit dhe si të tilla mund dhe duhet të kryhen vetëm nga autoritetet fiskale.
FMN dhe Banka Botërore parashikojnë se në skenarin bazë, ekonomia do të tkurret me 5% këtë vit. Po Banka e Shqipërisë si e vlerëson efektin që COVID-19 do të shkaktojë në ekonomi?
Pandemia COVID-19 dhe masat e distancimit social të marra për adresimin e saj ka dhënë një goditje komplekse mbi aktivitetin ekonomik në vend. Nga njëra anë, masat e distancimit social dhe rritja e pasigurisë kanë sjellë rënie të konsumit, të investimeve dhe të eksporteve shqiptare. Nga ana tjetër, masat e distancimit social kanë nënkuptuar dhe ndërprerje të detyruar e prodhimi në segmente apo sektorë të caktuar të ekonomisë shqiptare.
Në deklaratën e fundit për shtyp, të lëshuar nga Këshilli Mbikëqyrës, në përfundim të analizës së raportit Tremujor të Politikës Monetare, ne jemi shprehur qartë se Banka e Shqipërisë pret një rënie të aktivitetit ekonomik në vitin 2020. Po ashtu, ne jemi shprehur se ky recesion do të shoqërohet me rënie të punësimit dhe rritje të papunësisë, me vështirësi financiare për mjaft biznese dhe familje, të cilat përballen me rënie të fortë të të ardhurave, me rritje të borxhit të huaj dhe rritje të borxhit publik, si dhe rënie të të ardhurave në sistemin financiar.
Skenari ynë bazë i parashikimeve, i cili është bazuar në supozimin se pandemia kulmon në tremujorin e dytë dhe masat e distancimit social do të vijnë drejt normalizimit pas kësaj periudhe, ofron projeksione të krahasueshme të rënies ekonomike me ato që ju cituat. Ndërkohë, skenarë të tjerë të cilët faktorizojnë një zgjatje të mëtejshme të pandemisë, ofrojnë projeksione dhe më të thella të rënies ekonomike. Në çdo rast, është e qartë që goditja është e paprecedentë dhe mjaft komplekse.
Politikat tona kundërciklike – monetare fiskale dhe financiare – nuk mund ta shmangin të gjithë efektin negativ të goditjes, por ato mund dhe duhet të synojnë të shmangin pasojat afatgjata që kjo goditje mund të ketë në ritmin e rritjes së ardhshme ekonomike. Këtu kam parasysh ruajtjen e bizneseve dhe kapaciteteve prodhuese të vendit, mbrojtjen e familjeve dhe shtresave në nevojë, si dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.
Sa të shpejtë e prisni rimëkëmbjen dhe rikthimin në normalitet?
Pasiguria mbi zhvillimin e pandemisë dhe dëmin që ajo do të lërë pas, e vështirëson përtej normales punën e parashikimit të zhvillimeve ekonomike në të ardhmen.
Në skenarin tonë bazë, pandemia do të sjellë një tkurrje të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020. Më tej, me zbutjen graduale të masave të kontrollit, rikuperimi i ekonomisë pritet të jetë relativisht i shpejtë. Rritja ekonomike pritet të kalojë në territor pozitiv në vitin 2021 dhe të ndjekë një trajektore rritëse në vijim. Rritja e kërkesës dhe e punësimit do të ushtrojnë presione për rritjen e pagave, të kostove të brendshme dhe të inflacionit.
Në një skenar pesimist, zgjatja në kohë e kufizimeve do të vononte dhe do të ngadalësonte rikuperimin e ekonomisë.
Stimujt fiskalë, monetarë e financiarë që kemi ndërmarrë, i kanë dhënë një mbështetje jetike ekonomisë, e veçanërisht sektorëve dhe familjeve të prekura. Natyrisht, në rast se kriza zgjatet dhe perspektiva ekonomike bëhet dhe më sfiduese, autoritetet publike duhet të marrin në konsideratë një rritje të mëtejshme të stimulit ekonomik, por kjo është diçka për të cilën ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të vëmendshëm.
Në mbyllje dëshiroj të them se, ndonëse goditja që po kalojmë është mjaft e fortë, përgjigjja e koordinuar e politikave makroekonomike krijon premisa për rikuperimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik pas përfundimit të saj. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të kaluar me sukses këtë test./Monitor