Vetëm 2 ditë më parë u vendos për shembjen, protestojnë banorët e pallatit në Durrës: Akti i ekspertimit s’është korrekt

Saturday, 16 May 2020 14:52

Anëtarët e 36 familjeve që banojnë në një pallat në lagjen 7 në Durrës, janë mbledhur mëngjesin e kësaj të shtune në shenjë proteste për shembjen e pallatit të tyre, gjë që u vendos 2 ditë me parë nga Bashkia. Vendimi u mor pas përfundimit të ekspertizës sipas së cilës ndërtesa ka rrezik për banoret pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit të kaluar.

Banorët, të cilët kane vijuar të jetojnë në këtë pallat muajt pas tërmetit hedhin dyshimet e tyre përsa i përket analizës. Ata shprehen se akti i ekspertimit të pallatit për shembje është kryer nga dy ekspertet të cilët u paditen një ditë më parë nga Aleanca për Teatrin për shpërdorim detyre.

Një prej banoreve të këtij pallati është edhe gazetarja e News24 në Durrës, Klodjana Haxhiaj, e cila thotë se nuk u lajmëruan me herët mbi vendimin për shembjen e pallatit, që të kenë mundësi të gjejnë strehim tjetër. Ajo thotë lajmin për shembjen e ka dëgjuar rastësisht nga një oficer policie, dhe se kanë afat deri hënën për largimin nga apartamentet e tyre.

Në akt konstatimin që mban datën 12 dhjetor 2019 në pallatin 6 katesh në Durrës thuhet se dëmtimi është i nivelit mesatar me përshkrim; dëme të rënda në armaturë dhe të lehta në strukture duke rekomanduar rindërtimin e mureve të dëmtuara. Ky akt ekspertimi është firmosur nga 5 eksperte në terren.

Modifikuar më Saturday, 16 May 2020 17:11
Login to post comments