Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) i ka kthyer përgjigje maturantëve në lidhje me kërkesën e tyre se disa pyetje kanë qenë jo të duhura në testin e provimit te Gjuhes edhe Letersise.
QSHA shprehet se pyetjet në test ishin në përputhje të plotë me programin orientues, duke shtuar se për paqartësitë do të ngrihet grup vlerësimi me ekspertë që do të vlerësojnë pretendimet e ngritura nga maturantët.
Përgjigjja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) mbi kërkesën e depozituar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sot, më 13.06.2020:
Matura Shtetërore 2020
Përgjigje ndaj kërkesës së paraqitur në MASR
QSHA sqaron sa më poshtë:
QSHA është e gatshme të ngrejë, në çdo moment, grupe vlerësimi me mësues me përvojë nga gjimnazet e vendit, të cilët, së bashku me hartuesit e testit, do të analizojnë pretendimet e ngritura.
QSHA garanton profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e specialistëve kontribues në hartimin e testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë, të cilët mbështeten në eksperienca dhe metodologji shkencore të sprovuara ndër vite.
QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se ASNJË prej pyetjeve të testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk është jashtë programit orientues. Ky program është hartuar nga Agjencia e
Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).
Për më tepër, në rast nevoje për informacione të tjera, referohuni në linkun e mëposhtëm:
Programi orientues i Maturës Shtetërore 2020 (prill 2020):
https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/04/Gjuhe-shqipe-dhe-letersi-2.pdf
Identifikimi i gjeneraliteteve për çdo maturant është bërë për dy arsye:
së pari, procesi i korrigjimit është digjitalizuar, çka do të thotë se fletëpërgjigjja skanohet dhe, njëherazi, përgjigjet e dhëna vlerësohen nga sistemi kompjuterik dhe jo nga vlerësues fizikë. Kjo metodë përdoret në të gjithë provimet e standardizuara
(p.sh. SAT, TOEFL, IELTS, etj.), ku testi gjithashtu është i personalizuar, dhe siguron besueshmëri dhe saktësi të procesit të korrigjimit.
së dyti, QSHA ka krijuar mjedise provimi, duke përcaktuar numrin dhe renditjen e nxënësve nëpër klasa. Kjo ka shmangur vonesat në shpërndarjen e testeve, pasi secili nxënës ka marrë menjëherë në dorë testin e personalizuar, dhe ka bërë të mundur që provimi të fillojë njëkohësisht në të gjitha mjediset. Veç të tjerash, materialet e provimit janë hapur në klasë përpara nxënësve dhe kjo procedurë është ngritur për të garantuar transparencën e procesit.
2.Për sa i takon personalizimit të testeve, në të gjitha rastet, edhe nëse përdoren barkode, testet mund të jenë të identifikueshme lehtësisht nga QSHA. Institucioni e ndërton procedurën e vlerësimit të përgjigjeve të nxënësve dhe publikimin e rezultateve të tyre mbi protokolle sigurie tejet të larta, të cilat nuk cenojnë konfidencialitetin e të dhënave.
QSHA mbetet në dispozicion të çdo kërkese nga ana e maturantëve për të parë jo vetëm saktësinë e vlerësimit, por edhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave.
Provimet kombëtare, janë vlerësime të jashtme, që matin në mënyrë të standardizuar arritjet e nxënësve në përfundim të arsimit të mesëm të lartë, përkundrejt vlerësimit të brendshëm të shkollës. Si të tilla, ato priren të garantojnë një standard vlerësimi në nivel kombëtar.
QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se, edhe në rastin e shkollave profesionale, testi është bazuar në programin orientues përkatës. Programi orientues për shkollat profesionale:
https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/04/Gjuh%C3%AB-shqipe-dhe-letersi-3.pdf