Përgatiti ekipi anti-COVID i HEDA Albania*
Një pacient 25 vjeç në Nevada të ShBA është konfirmuar si rast ri-infektimi me infeksionin COVID-19 (raportin e gjeni këtu). Ri-infektimi ka ndodhur me një hapësirë kohore prej 48 ditësh ndërmjet PCR-së pozitive të parë dhe asaj të dytë. Këtë herë, ndryshe nga rasti i mëpardhëm i ri-infektimit në Hong Kong, sistemi imunitar nuk e ka mbrojtur individin as nga ri-infektimi dhe as nga manifestimet e sëmundjes. Gjatë infektimit të parë në muajin Prill, pacienti e mori veten pas rreth një muaji në izolim dhe rezultoi negativ me dy teste të një-pas-njëshme me PCR. Pacienti ishte në gjendje të mirë shëndetësore deri në fundin e muajit Maj, kur manifestoi simptoma të dyshimta që lidheshin me COVID-19 dhe pas testimit me PCR rezultoi pozitiv për herë të dytë. Këtë herë pacienti kishte nevojë për shtrim në spital dhe oksigjen.
Nga një analizim i gjenomeve virale të izoluara në të dy eventet e infektimit, vihen re ndryshime domethënëse, të cilat sugjerojnë se ka ndodhur ri-infektimi (figura më poshtë).
Ky rast thekson nevojën për të ekzaminuar më në detaje natyrën dhe spektrin e manifestimeve klinike nga ri-infektimi me infeksionin COVID-19. Ndërkohë që rastet e konfirmuara (me sekuencim gjenomik) të ri-infektimit mund të shtohen, do të na duhet të përqëndrohemi më tepër në hulumtime mbi mënyrën se si sistemi imunitar ndihmon në rast ri-infektimi. Nuk mund të përjashtojmë faktin që eventi i ri-infektimit mund të ketë qenë më i ashpër pasi gjenomet kishin ndryshime domethënëse. Kjo mbetet për t’u provuar. Ekipi i HEDA do vazhdojë të analizojë hulumtimet më të fundit dhe ti vendosë ato në dispozicion të publikut shipfolës në një format të kuptueshëm dhe të thjeshtuar.
* Aldi Pupuleku PhD, Denisa Baci PhD, Erand Llanaj MPH, MSc, PhD(c), Ina Mexhitaj PhD(c), Irma Kuka, Julia Daragjati PhD, Livia Tepshi PhD, Teuta Muhollari PhD(c)