Maska-rallëk

Hënë, 19 October 2020 08:45

 

Nga Erion Dasho - 17/10/2020
Në se deri tani Ministria dhe Komiteti mund të fajësonin paditurinë dhe paaftësinë për menaxhimin skandaloz të epidemisë së COVID-it, ky justifikim nuk pi më ujë.

Vendimi për mbajtjen e maskës në publik, si dhe pretendimi se kjo masë do të ulë me 60% transmetimin e SARS-CoV-2 dhe do të mundësojë kontrollin e epidemisë, flet për një përpjekje të qartë për të manipuluar opinionin publik dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha që lidhen me përgjigjen shqiptare ndaj COVID-19.

Le t’i analizojmë me radhë:

 

Së pari, maska artizanale që përdoret rëndom nga qytetarët shqiptarë nuk ofron kursesi një mbrojtje prej 60%. Efekti i saj mbrojtës luhatet midis 10%, 20% dhe 30% edhe kur përdoret si duhet (lahet rregullisht, përdoren disa maska në ditë, mbulon plotësisht gojën e hundën, etj.)

Për të arritur një mbrojtje të përshtatshme duhet të përdoren maska kirurgjikale të cilat ofrojnë mbrojtje rreth 95% në dalje (pra mbrojnë mjedisin nga personi i infektuar), apo ato të standarteve FFP të cilat mbrojnë edhe në hyrje edhe në dalje. Problemi është se këto maska janë njëpërdorimëshe. As buxheti i familjeve shqiptare nuk e mundëson blerjen e përditshme të tyre dhe as logjistika e tregut shqiptar nuk mundëson furnizimin e tyre në sasinë e duhur.

Së dyti, argumenti që ofrohet se vendosja e maskave është bërë e detyrueshme në shumë vende europiane është mashtrim. Unë jetoj në një vend europian dhe askush nuk të detyron t'a mbash maskën në rrugë.

Në transportin publik dhe mjedise tregëtimi të mbyllura, po! Në momente shpërthimesh (kur numri i rasteve kalon pragun) qytete apo edhe lagje të caktuara vendosin përdorimin e maskave edhe në rrugë me afate dhe tregues të qartë se kur nis dhe kur përfundon ky detyrim.Mbi të gjitha, këto shtete nuk i kanë varur fatet e kontrollit të epidemisë vetëm tek maskat apo mbulesat prej lecke! Ato testojnë, gjurmojnë dhe trajtojnë sikundër rekomandon OBSH-ja.

Para se të marin vendime për mbajtje maskash, kufizim lëvizjesh, apo kufizim të drejtash në përgjithësi, këto vende testojnë masivisht dhe njohin në detaje situatën epidemiologjike. Shqipëria që nuk teston, nuk ka se si ta njohë këtë situatë dhe, për pasojë, çdo masë merret dhe aplikohet qesim.

Së treti, propozimi dhe zbatimi me bujë i një mase që ka ngjallur kaq shumë kundërthënie është mesazh i gabuar. Publiku mban mend se OBSH-ja, organizata të tjera prestigjioze, madje edhe vetë autoritetet shqiptare kanë ndryshuar shumë shpesh mendim lidhur me maskat. Një masë të cilën dje e përqeshje, sot nuk mund ta paraqesësh si shpëtimtare, pasi bëhesh qesharak! Ndërkohë lidhur me trinomin testo-gjurmo-trajto, mendimi mjeksor botëror ka qenë i pandryshueshëm duke nisur që nga periudha mars-prill.

Së fundi, mbajtja e maskës në publik dhe kërcënimi për gjobë në rast mospërdorimi rikthen në skenë paradoksin shqiptar të pranverës, kur një administratë e tërë duke nisur nga kryeministri dhe duke përfunduar tek antarët e komitetit të “ekspertëve” terrorizonin qytetarin duke folur për armiq, luftë dhe kamikazë, ndalonin të drejtën për të parë diellin dhe vendosnin gjoba për arsye absurde. Më pas këto gjoba faleshin duke krijuar imazhin e një shteti jo-serioz.

Rikthimi i masave ekstreme nuk i shërben kontrollit të COVID-19! Përkundrazi, këto masa thellojnë edhe më tej hendekun e besimit midis qeverisë dhe qytetarëve dhe i bëjnë këta të fundit mosbesues ndaj masave që po merr qeveria.

Po jap vetëm dy shembuj që ilustrojnë shkatërrimin e besimit të qytetarit tek institucionet shëndetësore publike dhe pasojat shkatërrimtare të kësaj situate.

Lidhur me testimin, qytetarët po preferojnë gjithmonë e më tepër laboratorët privatë ku paguajnë 100 EURO për test, por nuk presin me ditë të tëra në ankth një strukturë publike të ngadaltë dhe të paaftë për të ofruar shërbimin e testimit sipas nevojës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ekzaminimet laboratorike e radiologjike të cilat qytetarët po i kryejnë privatisht duke shtuar edhe ca qindra EURO të tjera në faturën familjare të përballjes me COVID.

Së dyti, qytetarët janë duke braktisur spitalet. Ata po tentojnë të mjekohen në shtëpi duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën. Përvoja botërore e trajtimit ka treguar se shpesh ora madje edhe minuta bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes prej COVID-19.

Qytetari shqiptar i tmerruar nga standardi që ofrojnë spitalet COVID-1 dhe 2 ku vlerësohet se midis 60% dhe 80% e të shtruarve në reanimacion janë duke humbur jetën, po përpiqet me çdo kusht të trajtohet në shtëpi. Fatura e këtij trajtimi mund të shkojë jo më disa qindra, por disa mijëra EURO, kur mendoj se vetëm vizitat e një infermieri në shtëpi kërkojnë jo më pak se 100 EURO në ditë!

Ndërkaq qeveria, ministria dhe komiteti mburren se ka kapacitete rezervë në trajtimin spitalor!!! Kapacitete rezervë ka vetëm sepse shqiptarët po i trajtojnë infermierët në shtëpi me një faturë që shpesh kalon disa mijëra EURO për rast!!!

Në këto kushte kur Shqipëria vazhdon të përballet me COVID-19 pa një strategji të qartë dhe ku asnjë prej elementëve të trinomit testo-gjurmo-trajto nuk zbatohet, të hedhësh për konsum publik mbajtjen e maskave në publik është më së paku diversion dhe më së shumti maskarallëk.

Kjo administratë dhe ky komitet po e pranon hapur se frika dhe intimidimi i qytetarëve janë të vetmet taktika që ata njohin dhe janë të aftë të përdorin. Madje “maskarallëk” mund të jetë term shumë i butë kur i shitet publikut si shpëtimtare një masë iluzive dhe e paefektshme, ndërkohë që nga ana tjetër e privon nga trajtime të bazuara mbi evidenca shkencore solide.

Qeveria është ende në kohë për të shmangur një dimër të vështirë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë, por çdo ditë që kalon e shton rrezikun e daljes së situatës prej kontrollit.

Koha për veprim është tani!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...