Ditën e sotme pritet të hapet spitali COVID-3 në ambientet e ish-kirurgjive pranë qendrës spitalore universitare.
Kjo pasi të kryhet, inspektimi i fundit nga ministria e shëndetësisë në lidhje me kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme për pacientët me COVID.
Por lidhur me këtë vendim të qeverisë reagon edhe eksperti i shëndetit publik Erion Dasho.
Mjeku, i cili ka qenë shumë aktiv gjatë kohës së pandemisë në vend, ngre disa pyetje në Facebook-un e tij, të cilat presin edhe një përgjigje.
Erion Dasho: “A mos është i gjithë ky një tjetër eksperiment i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve”, është një prej pyetjeve që ngre eksperti Dasho.
“A mund të punojë mbrapsht sistemi i referimit të pacientit në rastin e COVID-19?!
A mund që një pacient “i stabilizuar” të transferohet nga një strukturë që ofron një nivel më të lartë shërbimi drejt një strukture që ofron nivel më të ulët pa u deklaruar “i shëruar” ose të paktën “i përmirësuar” për arsyen e shtrimit në spital?!
Në kushtet e një sëmundjeje që nuk njihet ende plotësisht dhe është dalluar deri tani për vështirësinë e parashikimit të ecurisë klinike?!
Kush do të mbajë përgjegjësinë përpara familjarëve dhe ligjit në se pacienti i transferuar vdes?!
Po nëse “destabilizohet” sërish?! Apo ping-pong drejt COVID-1 dhe 2?!
A mos është i gjithë ky një tjetër eksperiment i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve?!
Deri tani, të shtruar në dy spitalet Covid janë 271 paicentë, ndërsa ekspertët shprehen se ky është edhe kapaciteti maksimal i tyre.
Nga nisja e pandemisë, Shqipëria numëron 19157 të infektuar me Covid-19 dhe 477 viktima.