Ulet ndjeshëm pesha e grekëve ne sistemin bankar

Diel, 29 Prill 2018 14:49

Në 2017-n, bankat kanë qenë më shumë të zëna me transaksionet e shitblerjeve, (që pritet të vijojnë vrullshëm edhe këtë vit), me fshirjet e kredive dhe riorganizimin e degëve, sesa me zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Bankat që ishin dhe janë në proces shitje kanë qenë aktive në drejtim të pastrimit të kredive të këqija nga bilanci.

Të dhënat e detajuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se 7 banka kanë rezultuar me ulje të stokut të kredive, ndërsa depozitat janë tkurrur në 6 prej tyre. Degët janë reduktuar lehtë, punonjësit po ashtu.

Banka Kombëtare Tregtare vijon të jetë më e madhja në vend, duke rritur peshën e aktiveve në totalin e sistemit, me 0.81 pikë përqindjeje, në 27.79% dhe duke mbetur ndër më aktivet në vend. Megjithatë, kjo bankë e ka ulur ritmin e kreditimit, teksa stoku i huave u rrit me më pak se 1%. Në të kundërt, ka vijuar zgjerimi i kënaqshëm i depozitave, me rreth 6%, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.

Raiffeisen Bank është banka e dytë më e madhe në vend, por prej vitesh po e ul madhësinë e bilancit, në linjë me strategjinë e mëmës në Vjenë, për të ulur ekspozimin në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Pesha e aktiveve ndaj totalit ra me 1.74% në 17.1%. Banka e vijoi intensivisht procesin e fshirjes së kredive (stoku i huave ra me 20 miliardë lekë), teksa nuk është aktive në dhënien e kredive të reja.

Credins ka vijuar të ruajë pozicionin si banka e tretë më e madhe në vend, që e fitoi në 2016-n, me 12.28% të totalit (rritje me 0.64 pikë përqindje). Credins ishte më aktivja në huadhënie, me rritjen më të lartë të stokut të huasë në vlerë absolute në sistemin bankar (rreth 4 miliardë lekë). Edhe depozitat kanë shënuar rritje të kënaqshme prej 8.1%. Banka ka shfaqur këtë vit fitimin e saj më të lartë në vite, për rreth 1.0 mld Lek. NPL janë ende në nivel relativisht të lartë dhe kjo do të marrë disa vite deri sa të normalizohet.

Intesa Sanpaolo është e katërta më e madhe në vend, sipas aktiveve. Ajo ka pasur një aktivitet të qëndrueshëm në 2017-n, me zgjerim 2.8% të kreditimit dhe 4.4% të depozitave.

Societe Generale Albania ka kaluar në bankën e pestë më të madhe në vend, duke i zënë vendin Tirana Bank. Banka kishte një peshë tregu prej 5.57%, ndërsa ka qenë aktive si me rritjen e kredive, ashtu dhe të depozitave.

Banka ka pasur një aktivitet pozitiv në vite, si në drejtim të treguesit të kredive me probleme, që ka qenë më i ulëti në sistem, ashtu dhe të treguesve të përfitueshmërisë (kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet), teksa ka rritur pjesën e tregut në mënyrë të qëndrueshme.

Tirana Bank, në pritje të shitjes, ka ulur peshën e aktiveve me 0.36 pikë përqindje në 5.33%. Stoku i kredisë ka rënë me 28%, për shkak të fshirjeve, ndërsa dhe kreditë janë ulur lehtë.

Alpha Bank ka rritur lehtë peshën e tregut me 0.1 pikë përqindjeje, në 5.25%. Kreditë ishin në rënie, ndërsa depozitat u rritën ndjeshëm me 9.5%.

Union Bank ka rritur peshën në treg me 0.28 pikë përqindjeje, në 3.18%. Banka ishte aktive në huadhënie, me zgjerim prej 4.6%, ndërsa më i ndjeshëm ishte shtimi i depozitave, me 17.1%.

ABI Bank e mbylli vitin 2017, me një peshë tregu prej 2.81%, me një zgjerim prej 0.23 pikë përqindje. Depozitat e saj u rritën me 14.4%, ndërsa stoku i huasë u reduktua me rreth 13%.

NBG e mbylli vitin e saj të fundit të aktivitetit në Shqipëri, me një peshë ndaj aktiveve prej 2.7%, në krahasim me 6.7% që ishte në vitin 2008, kur banka ishte në kulmin e aktivitetit të saj. Stoku i huave u reduktua me 31%, kryesisht për shkak të fshirjeve.

ProCredit e rrit lehtë peshën e tregut me 0.2 pikë përqindje, në 2.34%. Banka ka adoptuar një filozofi agresive për dixhitalizimin e shërbimeve të saj dhe me reduktimin e stafit e të ndërhyrjeve manuale në sistem. Po ashtu ka ndryshuar fokusin e saj ndaj një klientele më “të lartë”, duke kufizuar futjen e klientëve të vegjël, si për hapje llogarie, ashtu edhe për kreditim.

FiBank arriti në 1.44% të totalit të aktiveve, me zgjerim prej 0.12 pikë përqindjeje.

Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB), Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë (CBA) kanë aktivitet modest, ndërsa Veneto, që deri në fund të 2017-s kishte një peshë prej 1.92% të aktiveve, u përthith në dhjetor nga Intesa San Paolo.

Si po ndryshon sistemi me shitblerjet, rënia e madhe e grekëve

Sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëdiversifikuar sipas origjinës së kapitalit. Mbizotëron kapitali turk, teksa BKT ka gati 28% të totalit të aktiveve.

Në vend të dytë janë austriakët, me 17.1%, përmes Raiffeisen.

Në rritje ka ardhur pesha e bankave me kapital shqiptar, ku Credins (12.28%) dhe Union Bank (3.18%) kanë së bashku 15.46% të totalit, me zgjerim prej 0.9 pikë përqindje me bazë vjetore. Pesha e bankave italiane mbetet pothuajse e pandryshuar në 12.8% dhe përthithja e Veneto nga Intesa nuk e ndryshon, për shkak se të dyja janë me kapital italian.

Në vitin 2008, bankat me kapital grek zinin 27.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, ku më e madhja ishte Tirana Bank (9.78%), e ndjekur nga Alpha Bank (8.14%), National Bank of Greece (6.67%) dhe Emporiki Bank (3.13%). Ato ishin mjaft konkurrente në treg dhe shumë aktive në kreditim (pesha që zinin në stokun e huasë po në 2008-n ishte 40.7%, po sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave).

Por, pas 2010-s filloi rënia e shpejtë e tyre për dy arsye. Së pari, kreditimi i shpejtë u shoqërua me rritje të kredive me probleme, që për disa arriti në 40-50% të totalit të huasë. Së dyti, pas krizës së borxhit të Greqisë, bankat mëmë filluan tërheqjen graduale nga rajoni. Në vitin 2012, Emporiki u shit te francezët e Credit Agricole dhe kjo e fundit, në maj 2015, u shit te Tranzit/NCH capital (ABI Bank). Në fillim të 2018-s u shit edhe NBG po te ABI Bank (transaksioni është ende në pritje të aprovimit rregullator), ndërsa në shitje është edhe Tirana Bank. Pas daljes së Tirana Bank, pesha e bankave greke pritet të reduktohet në rreth 5%.

Degët dhe punonjësit, në rënie të lehtë

Sistemi bankar ka vijuar të reduktojë numrin e degëve në vend. Në total, në fund të vitit 2017, kishte 479 degë, 24 më pak se një vit më parë. Mbylljen më të madhe e kishte ProCredit, me 11 degë, e cila po kalon gradualisht drejt bankingut elektronik dhe Veneto, me 10 degë. Raiffeisen mbylli edhe 3 degë në 2017-n. U hapën vetëm tre degë të reja (BKT, Credins, Societe Generale).

Në rënie të lehtë ishte dhe numri i punonjësve. Në banka punojnë gati 6900 punonjës, apo 56 më pak se një vit më parë. BKT, Raiffeisen, ProCredit kanë bërë shkurtimet më të mëdha të stafit në 2017-n.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...