Flet specialisti: Mosha, dokumentet dhe kushtet për përfitimin e pensionit janë...

Diel, 20 May 2018 11:18

Eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar qytetarët mbi problematikat e pensioneve, si çdo javë, në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV.

Kepi ka sqaruar për kategorinë e arsimtarëve që janë me tituj shkencorë se çfarë duhet të kenë parasysh për kushtet që duhet të plotësojnë për të dalë në pension dhe se si mund të përfitojnë pension suplementar.

Po kështu eksperti ka sqaruar qytetarët edhe për disa problematika të tjera siç janë dokumentacioni i duhur për pension të veçantë apo për të invaliditetit etj.

Disa pedagogë me tituj shkencorë na shkruajnë dhe na pyesin se për profesorë dhe profesorë të asocuar, cilat janë kushtet për të dalë në pension? A do të përfitojnë pension suplementar dhe si llogaritet?

Sipas nenit 65 të Ligjit të Arsimit të Lartë, pedagogët me titull shkencor “profesor”, që punojnë në shkollat e larta, në universitete, në Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe në Akademinë e Shkencave, dalin në pension 68 vjeç, pavarësisht nga gjinia. Në rast se qendra e punës ka nevojë për ta, me kontratë individuale, me dëshirën e pedagogëve por edhe të qendrës së punës, kanë të drejtë të punojnë edhe mbi moshën 68 vjeç. Ndërsa pedagogët me gradën shkencore “profesor i asocuar”, pavarësisht nga gjinia, sipas ligjit që citova më lart, dalin në pension në moshën 65 vjeç. Dhe kanë të drejtë, me dëshirën e tyre dhe të qendrës së punës, që të vazhdojnë punën përsëri me kontratë 3-mujore, 6-mujore, apo 1-vjeçare, por edhe me të drejtë ripërsëritjeje.

Ndërsa akademikët, me titull shkencor “akademik”, sipas ligjit të veçantë, jo të arsimit të lartë, por ligjit të Akademisë së Shkencave të vitit 2077, pavarësisht nga gjinia, dalin në pension 75 vjeç. Profesorët me titull shkencor “profesor”, përfitojnë pension suplementar për periudhën nga 1 janari i vitit 2010 e në vazhdim, jo përpara, 1,3% të pagës referuese për çdo vit të plotë që ka pasur gradën shkencore “profesor”, p.sh. nga viti 2010 e deri tani kanë kaluar 8 vjet dhe personi ka qenë me gradën shkencore “profesor”, 8 x 1,3% = 10,4% shtesë pensioni sepse ka punuar me gradën shkencore “profesor” jo se i bëhet privilegj.

Por për periudhën nga 1 janari i vitit 2010, sipas një ligji të veçantë për pensionet e profesorëve, me nr. 10139, datë 15 maj 2009, që ka hyrë në fuqi më 1 janar, thuhet: “Do të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore profesorët dhe kontribute për sigurimet suplementare”. Ndërsa “profesorët e asocuar” përfitojnë 1,1% të pagës për çdo vit që kanë punuar me gradën shkencore “profesor i asocuar”, pavarësisht nga gjinia, dhe gjithnjë nga 1 janari i vitit 2010, pra, 8 x 1,1% = 8,8% shtesë pensioni. Mund të ndodhë që një person në 2 vitet e para 2010-2012 ka qenë “profesor i asocuar” sepse nuk bëhesh direkt “profesor”, atëherë për 2 vjet do të përfitojë 2 x 1,1% = 2,2% të pagës dhe për 6 vitet e tjera do të marrë 6 x 1,3% = 7,8% të pagës.

Jam një punonjës i nëntokës 20 vjet, invalid pune me sëmundje profesionale, që nga viti 1991 deri sa dola në pension. Marr një pension që më duket i ulët, 200 mijë lekë të vjetra. Jam 69 vjeç. A mund të më sqaroni se si është bërë përllogaritja e tij?

Ju keni të drejtë, që me librezën e pensionit, të shkoni dhe të takoni çdo të mërkurë, Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore të Lezhës. Personat e marrin pension invaliditetit derisa plotësojnë kushtet për pension pleqërie dhe kjo periudhë i quhet vjetërsi pune për pensionin e pleqërisë. Marrin gjithashtu edhe në Bashki shumën 3.300 lekë të reja çdo muaj. Ditën që plotëson moshën e pensionit, Sigurimet Shoqërore të caktojnë ose pensionin e pleqërisë ose pensionin e invaliditetit, cila shumë të del më e lartë dhe të leverdis ty.

Gjithashtu shumën prej 3.300 lekësh të reja nga Bashkia dhe barnat mjekësore të rimbursueshme nuk të hiqen, vazhdon t’i marrësh. Më hollësisht, me librezën e pensionit shko dhe tako Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore dhe atje do të rishikohet edhe një herë kërkesa jote dhe do të sqarohesh se si është përllogaritur pensioni yt. Nëse përsëri do të jesh i paqartë, duhet t’i bësh një ankesë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Flas nga Tirana. Gruaja ime ka dalë në pension para 4 vjetësh, në moshën 60 vjeçe, dhe me 35 vjet e 1 muaj punë të siguruar. 30 vjet kishte punuar dhe 5 vjet i pagoi sigurime vullnetare. Koleget e saj të punës marrin më shumë pension. Përse është kjo diferencë?

Unë po u besoj këtyre fjalëve që the ti. Mirë do të ishte që të fliste vetë gruaja juaj. Po e zëmë se gruaja juaj ka dalë në pension në vitin 2014 dhe 60 vjeçe. Për pension të plotë, në vitin 2014 janë kërkuar 35 vjet punë. Ajo ka pasur vetëm 1 muaj mbi sasinë e viteve të kërkuara dhe ai një muaj në 35 vite pune ndikon shumë pak. Deri më 31 dhjetor 2014, pensioni llogaritej me 75% të pagës mesatare neto mujore, të pagave të dhjetëvjeçarit të fundit, nga viti 2004 deri në vitin 2014

Paga mesatare e 3 viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës, të cilën ka pasur të drejtë ta zgjidhte gruaja juaj kur ka dalë në pension. Paga e saj normalisht që ka qenë e ndryshme nga paga e shoqeve të saj, se në 10 vitet e fundit është e pamundur që gratë të kenë marrë të njëjtën pagë sepse paga varet nga shkalla e kualifikimit, nga profesioni, nga arsimimi. Sigurimet Shoqërore nuk kanë ndonjë interes që të pakësojnë pensionin por kanë interes të japin atë që i takon personit. Bashkë me librezën e pensionit, gruaja jote dhe jo ti, duhet të shkojë te Sigurimet Shoqërore. Atje hapet dosja e saj dhe shihen edhe një herë rrogat e të tjerat që duhen parë. Prandaj u sugjeroj të gjithë qytetarëve, që disa muaj para se të dalin në pension të interesohen për vitet e punës dhe për pagat e tyre.

Na shkruan Flora: “Mamaja ime ka një vit që ka dalë në pension, por ne jetojmë jashtë Shqipërisë, kështu që jemi paraqitur me vonesë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore. Si pasojë, mamaja humbi një vit sepse nuk ia dhanë për arsyen që ishte paraqitur me vonesë. A ka të drejtë ajo ta kërkojë këtë vit?”.

Flora e dinte patjetër moshën e mamasë së saj. Gjithashtu e ka ditur se kur dilte mamaja e saj në pension. Nuk duhet lënë gjërat për në minutën e fundit. Duhej që disa muaj përpara se mamaja e saj të plotësonte moshën për të dalë në pension, të kishin shkuar në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore. Edhe sikur ato të dyja, meqë jetojnë jashtë Shqipërisë, të mos e kishin këtë mundësi, duhej t’ia kishin kërkuar një të afërmit të tyre që të interesohej. Ligji kështu e thotë: “nëse plotëson moshën për pension sot, duhet 60 vjeçe e 8 muaj”.

Nëse dokumentet i dorëzon në datën 17 maj të vitit 2019, brenda 365 ditëve, pensionin e merr nga dita kur të ka lindur e drejta. E merr për 12 muaj. Në qoftë se dokumentet e pensionit i dorëzon te Sigurimet Shoqërore pasi kanë kaluar 365 ditë, pensioni fillon nga dita kur ke dorëzuar dokumentet. Ka emigrantë që kanë humbur më shumë se një vit. Si në çdo gjë tjetër, edhe për pensionet ka rregulla dhe afate. Ashtu siç ndodh kur udhëton me avion, duhet të shkosh në aeroport dy orë përpara e jo dy orë më pas, kur është nisur avioni. Njeriu një herë del në pension, prandaj duhet treguar kujdes, duhet të interesohen disa muaj më parë se të mbushin moshën për të dalë në pension. Sigurimet Shoqërore në këtë rast, thjesht kanë zbatuar ligjin.

Flas nga Tropoja. Jam kujdestare e një invalidi tetraplegjik. i shërbej burrit që prej 23 vjetësh. Kam punuar 15 vite në kooperativë, 7  vite pune i kam të siguruara dhe pjesën tjetër e kam si kujdestare e burrit. Jam 48 vjeçe. Dua të di nëse kujdestaria më quhet vjetërsi pune për pension?

Po zonjë. Të gjithë personat që i shërbejnë një personi të sëmurë paraplegjik ose tetraplegjik, jo të verbër, sipas shënimit në fletën e KEMPIT nga mjekët specialistë që personi i sëmurë është tetraplegjik ose paraplegjik, u quhet periudha e kujdestarisë si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë. Janë dy vendime qeverie me nr. 326 dhe 328, të datës 13 mars 2012. Këto vendime, sigurisht që i kanë edhe specialistët e Sigurimeve Shoqërore. Por ju, sipas moshës që keni, 48 vjeçe, nuk mund të dilni në pension tani.

Periudha e kujdestarisë ju quhet vjetërsi pune, por kjo merret parasysh kur ju të plotësoni moshën për të dalë në pension, rreth 63 vjeçe. Atëherë ju do të bëni një kërkesë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tropojë. Do të dorëzoni dokumentet tuaja personale, librezën e punës, dokumentet që vërtetojnë kohën që keni punuar në kooperativë, dokumentet që vërtetojnë se i keni shërbyer pjesëtarit të familjes suaj. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore ia dërgon këto dokumente Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës. Specialistët atje llogarisin dhe caktojnë vlerën e pensioneve për qytetarët e Tropojës. Mendoj që është shumë shpejt për ty dalja në pension, por ti bën mirë që interesohesh.

Meqë unë s’i kam dokumentet e tua, mund të kesh sqarime të tjera. Nëse dëshiron, mund të shkosh që ditën e hënë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tropojë, me kartën tënde të identitetit. Atje punonjëset e Sigurimeve Shoqërore mund të të sqarojnë më hollësisht dhe të të gjejnë edhe datën e saktë se kur ti plotëson kushtet për të dalë në pension. Ekziston edhe një rrezik, meqë ti ke punuar 15 vjet në kooperativë, mund të marrësh edhe pension kooperative. Por, në qoftë se ti i mbledh të gjitha vitet e punës që ke dhe i plotëson vitet që të duhen për të marrë pension, le të kesh punuar 15 vjet në kooperativë, përfiton pension shteti. Prandaj unë të sugjeroj edhe një herë që të shkosh në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore për sqarime të sakta e të detajuara./Shqiptarja.com

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...