Paradoksi i bujqësisë! Qershitë flaken në Dibër, në Tiranë me 2 mijë lekë/kg

Diel, 27 May 2018 12:11

Qindra fermerë të qarkut të Dibrës, por edhe më gjerë, po e flakin një pjese të prodhimit te tyre te qershive.  Shkak është bërë mungesa e tregut, si dhe pikave të grumbullimit dhe përpunimit të këtij fruti. Janë fermerët e zonës së Dibrës, të cilet ankohen se tregtarët ua kërkojnë me një çmim shumë të ulët, duke sjellë kështu një humbje shumë të lartë, që shkon në mijëra euro.

Paradoksi qëndron në faktin, se dy orë larg nga Dibra, aty ku qershia po hidhet në përrua, konsumatori në kryeqytetin shqiptar qershinë po e blen me 200 lekë/kg.
Specialistët e fushës, thonë, se nëse 1 kilogram qershi shitet nën kosto, pra 50 lekë, sa po shitet aktualisht në Dibër, fermeri del me humbje.
Hysni Gurra, ekspert ekonomie për  çështjet  e bujqësisë thotë në një intervistë për Ekonomix.al, se fermerët duhet t’i kërkojnë qeverisë shqiptare ndërhyrje konkrete.
Ai paralelizon protestën e fermerëve të vendeve të Bashkimit Europian, për çmimin e qumështit, por thotë, se fermerët shqiptarë nuk janë të ndërgjegjësuar për të ngritur zërin për problemet e tyre.
“Para disa kohësh në vendet e BE-së, ku ne duam të anëtarësohemi, u mor një vendim për lëvizjen e çmimit të qumështit. Çfarë ndodhi? Fermerët gjermanë dhe jo vetëm, bllokuan autostradat e vendit per 2-3 orë dhe qeveritë e BE, qeveria gjermane u terhoqën.
Në Shqipëri fermerët mbushin sheshet në turet e kryeministrit për “llogaridhënie”, dëgjojnë hajgaret e kryeministrit dhe harrojnë hallet e tyre. Kjo është situata në Shqipëri. Nuk është hera e parë kjo që po ndodh me fermerët e qershive dua të them.
Situata të tilla ne do të vazhdojmë të shohim, derisa të vazhdojë kjo gjendje dhe derisa fermerët mos shkojnë në takime propagandistike por të dalin të kërkojnë llogari dhe te protestojnë për të drejtat e tyre”.
Për Gurrën, zgjidhja e vetme në këtë situatë është ngritja e pikave të grumbullimit, magazinimit dhe përpunimit të qershive.
Pra, investime konkrete, jo fjalë.
“Shkaqet janë të njohura, për këtë duhet t’u drejtoheni edhe institucioneve përkatëse dhe t’i pyesni- Ku kanë shkuar paratë që keni deklaruar se po jepni për ngritje pikash grumbullimi dhe agropërpunimi?
Ky është shkaku kryesor që fermerët e Dibrës dhe më gjerë nuk shesin dot prodhimet e tyre. Ku dhe si duhet ndërhyre?
Duhet të ngrihen këto pika prej vërteti dhe jo vetëm me letra. Paratë shpenzohen për gjoja “investime” të tilla dhe investime ka zero”, shprehet ai.
Për Gurrën, fermerët duhet të ndihmohen nga institucionet përkatëse, pasi aktualisht shteti është inekzistent në 70-80% të fshatit shqiptar.
Problemet e fermerëve zgjidhen duke ndërhyrë me programe e projekte, thotë Gurra, jo duke u bërë bashkë fermerët në pozicionime politike, por kooperime të përbashkëta në favor të tyre.
“Femerët së pari duhet të heqin dorë nga pozicionimet politike dhe të shohin interesin e tyre, të vënë para përgjegjësisë autoritetet të cilave u japim votën dhe taksën.
Unë mund t’i ndihmoj me një intervistë këtu për ju, ju mund ta vazhdoni këtej këtë nismë duke i ndërgjegjësuar, që të kërkojnë më shumë dhe kështu mund të arrihet në një ndërgjegjësim të tyre sado i vogël qoftë. Ndihmen kryesore fermerëve duhet t’ua ofrojë shteti, deri më tani shteti në 70-80% të fshatit është inekzistent.

Sa kohë nuk vendoset një korrelacion midis hallakave të mesiperme, probleme të tilla do të vazhdojmë t’i shohim çdo vit” thotë Gurra.
Përballë kësaj situate, që në Shqipëri ndodh edhe me produkte të tjera, për të cilat nuk ofrohen kushtet e magazinimit, grumbullimit e përpunimit, siç është edhe molla, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur, se fermerët nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin për kooperim, duke bërë që ata të dalin në treg veçmas.
Në një reagim për Ekonomix.al, Ministria e Bujqësisë thekson, se fermerët duhet të bashkohen dhe më pas t’a eksportojnë qershinë, sipas standardeve bashkëkohore.
Sipas këtij dikasteri, fermerëve iu është ofruar ndihma e nevojshme për bashkimin e fermerëve dhe subvencionimin e tyre, por vetë fermerët nuk kanë shfaqur interes.
“Në këtë periudhë është piku i prodhimit të qershive. Tregu ka një kapacitet të caktuar. Fermerët janë të veçuar dhe shesin vetë me arka.
Nuk kanë kapacitete për ruajtjen e qershive në kushtet e duhura dhe detyrohen që t’i shesin edhe lirë, vetëm që t’i heqin brenda ditës. Zgjidhja do të ishte që fermerët të bashkoheshin.
Të bashkonin sipërfaqet, të rrinin prodhimin, t’a ruanin atë në një qendër grumbullimi. Në këtë mënyrë do të rritej aftësia e tyre negociuese për eksport, por edhe për përcaktimin e çmimit. Ne i kemi vendosur bashkimin e fermerëvr në qendër të politikave tona dhe ofrojme subvencione.
Por nuk ka pasur interes prej tyre” përfundon në reagimin e saj Ministria e Bujqësisë.
Një ditë më parë ishin fermerët e Dibrës, që u ankuan për çmimin dhe thanë, se do të presin pemët e qershive, pasi nuk mund të përballojnë koston, duke qenë se kanë humbje nga çmimi shumë i ulët me të cilin tregtarët ua blejnë prodhimin.
“Kam 5 dynym qershi, nuk kam shitur fare. Tani do kalben. Nuk i marin me çmimin që i kemi vënë ne, pasi duan ta blejnë lirë fare. Ne nuk mund ta tregtojmë me atë vlerë, pasi dalim me humbje”, thote një fermer në Dibër.
Ndërsa një tjetër ankohet se subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë nuk kanë mbërritur në këtë zonë.
”Mall e prodhim ka sa të duash, ska blerje. Reklamat e subvencioneve janë shumë, por asgjë nuk ka ardhur tek ne. Ne nuk kemi përfituar”, shprehet ai.
Ndërsa një fermer, që vit pas viti e kultivon dhe ka rritur numrin e fidanëve të këtij fruti, thotë, se mungesa e një qendre grumbulluese dhe përpunuese të qershisë, po i çon ata drejt falimentimit.
Madje, ai thekson se do t’i presë pemët që ka mbjellë dhe i kultivon vit pas viti.
“Problem është tregu, s’ka qendër tregtimi, magazinimi e paketimi. Qershia kalbet menjëherë. Ne do presim edhe qershitë, siç premë mollët”…

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...