Maturantët të cilët janë kandidatë për ndjekjen e studimeve të larta në programet e ciklit të parë të studimeve, profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin U-Albania.
Secili maturant ka të drejtë të zgjedhë 10 programe studimi nga lista e programeve, që ofrohen nga IAL-të publike dhe jopublike, por para zgjedhjes së preferencave kandidatët për student duhet të paguajnë tarifën prej 2 mijë lekësh nga data 5 qershor deri në 15 korrik pranë zyrave të postës shqiptare.
Nga data 30 korrik deri në 4 gusht aplikimet në portal do të bëhen përmes formularit online të aplikimit mbi bazë të notës mesatare, nga kjo përjashton vetëm ata që zgjedhin arsimin profesional. Brenda datës 28 gusht, të gjitha IAL publikojnë listat e renditjes së aplikantëve fitues, ndërsa nga data 30 gusht deri në 12 shtator të gjithë maturantët e shpallur fitues në raundin e parë regjistrohen pranë sekretarive përkatëse të universitetit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet.
Për aplikantët të cilët duan të ndryshojnë program studimi e vetmja datë për tu çregjistruar dhe për të tërhequr dokumentet është 13 shtatori. Procesi i regjistrimit është i ndarë në 7 faza dhe në rast mosplotësimi kuotash vija e kuqe zhvendoset. Faza për plotësimin e këtyre kuotave vijon deri në 12 shtator.
Për të gjithë ata maturantë të cilët nuk kanë arritur të regjistrohen apo nuk janë shpallur fitues në raundin e parë kanë këtë mundësi në raundin e dytë të të aplikimeve që është në datat 15 deri në 20 shtator . Në 25 shtator IAL publikojnë listat dhe fituesit do të kryejnë procesin e regjistrimit në datat 27 shtator deri në 6 tetor.