Ligji i ri i strehimit ka hyrë në fuqi duke filluar nga dita e sotme. Me ndryshimet në këtë ligj pritet të përfitojnë rreth 31 mijë të pastrehë në të gjithë territorin e vendit.
Nga ligji i ri përfitojnë familjet në nevojë, komunitetet rome dhe egjiptiane, gratë e dhunuara, jetimët, personat me aftësi të kufizuara, familjet që përjashtohen nga procesi i legalizimeve, familjet njëprindërore, familjet që dalin të pastreha nga zbatimi i vendimeve gjyqësore.
Ndër ndryshimet kryesore përfshihen aplikimi përmes sistemit elektronik online, një numër i dyfishuar programesh sociale dhe një sërë dokumentacioni që duhet plotësuar nga aplikuesit.
Strehimi social
Përparësi në përfitimin nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin kanë familjet/individët e pastrehë, të cilët, në zonën përkatëse, e kanë siguruar strehimin në: a) ndërtime të palegalizuara, që nuk mund të legalizohen; b) zonat e vjetra industriale, jofunksionale, të zëna nga individë të pastrehë, pa autorizime përkatëse për strehim.
Kriteret për përfituesit nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin, mënyra e sigurimit të strehimit të tyre gjatë periudhës së ndërtimit, forma e kalimit të pronësisë për kuota të përcaktuara për banesa sociale nga ndërtuesit ose pronarët, me qëllim strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ligji i ri për strehim social iu është dërguar për mendim 125 subjekteve: ministrive, 61 bashkive të vendit, shoqatave/organizatave që operojnë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të grupeve të ndryshme në pozita të pa favorizuara, institucioneve të pavarura, aktiviteti i të cilave ndërthuret ngushtësisht me politikat e strehimit dhe të institucioneve që zbatojnë këto politika, si dhe ekspertëve të fushave të ndryshme.
Në përfundim të afatit të pritjes së mendimeve, u përgjigjën bashkitë Durrës, Fier, Pogradec, Berat, Gjirokastër, Pustec, Mallakastër, Finiq, Tepelenë, Shijak, Vau i Dejës. Një pjesë e tyre u shprehën dakord, ndërsa bashkia Berat, bashkia Vau i Dejës, bashkia Durrës, Bashkia Fier bënë disa propozime që do të zbatohet në vijim.
PROGRAMI i BANESAVE SOCIALE ME QIRA
- 1. Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike, nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat.
- 2. Banesat sociale me qira përfshijnë:
- a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore apo persona juridikë privatë, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale;
- b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, të cilat ofrohen si banesa sociale që jepen me qira, që subvencionohen dhe të vlerësuara nga organet e njësisë së vetëqeverisjes vendore ose nga persona juridikë privatë, si banesa që përmbushin të gjitha kushtet teknike dhe normat e strehimit;
- c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen.
Përcaktimi i kufijve të të ardhurave të individëve/familjeve që përfitojnë nga banesat sociale me qira
- 1. Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.
- 2. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve, mund të përzgjidhet brenda intervalit 100-120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.
Pronësia e banesave sociale me qira
- 1. Banesat sociale me qira regjistrohen në pronësi të subjektit që e ka financuar.
- 2. Kur banesat sociale me qira financohen pjesërisht ose tërësisht nga buxheti i shtetit, ato regjistrohen në zyrën vendore të regjistrimit të pronave, në emër të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe me barrë hipotekore.
LLOGARIJA E TË ARDHURAVE
“Të ardhura mesatare”, niveli mesatar i konsumit familjar, sipas nivelit më të ulët territorial të disagregimit të të dhënave nga INSTAT-i, dhe që publikohet në mënyrë periodike.
Për efekt të llogaritjes së nivelit të të ardhurave mesatare, familjet grupohen, si më poshtë:
- a) Familje me të ardhura mesatare, që janë familjet me të ardhura mujore midis 100 dhe 120 % e të ardhurave mesatare;
- b) Familje me të ardhura të ulëta, që janë familjet me të ardhura mujore midis 70 dhe 100 % e të ardhurave mesatare;
- c) Familje me të ardhura shumë të ulëta, që janë familjet me të ardhura mujore më të ulëta se 70 % e të ardhurave mesatare;
Rregulla për aplikimin në programet sociale të strehimit
- 1. Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit.
- 2. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë.
- 3. Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kategoritë përfituese
- 1. Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi.
- 2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit.
- 3. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese, me anë të sistemit të pikëzimit, përfshihen individë/familje, të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi.
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:
- a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:
- I. nuk disponojnë banesë në pronësi;
- II. banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;
III. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;
- IV. kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
- v. familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
- b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:
- I. familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna;
- II. të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;
III. familjet me më shumë se katër fëmijë;
- IV. bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
- c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:
- I. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;
- II. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;
III. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;
- IV. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;
- v. familjet e policëve të rënë në detyrë;
- VI. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);
VII. punonjësit e repartit RENEA;
VIII. viktimat e dhunës në familje;
- IX. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
- X. anëtarët e komunitetit rom;
- XI. anëtarë të komunitetit egjiptian;
XII. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;
XIII. vajzat nëna;
XIV. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.