Komedia "A vdiq ai" vepër e autorit Mark Tuein do të jetë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Komedia si produksion privat vjen në skenë nga regjisori Andis Gjoni, i njohur më herët si piktor dhe skenograf. Për premierën që pritet nga fundi i muajit në skenë, rolet interpretohen nga aktorë të njohur të teatrit. Regjisori Andis Gjoni që ka nisur punën për veprën shkruan se shfaqja “A vdiq ai” është e mbushur me humor dhe batuta. Në thelb është një komedi karakteresh me nota të lehta vodvili. Ka gjithashtu elemente të pantomimës, që i shkojnë për shtat atij lloj zhanri. As. regjisore Alma Hoti tregon se premiera përcjell mesazhe të forta për shoqërinë. “Komedia vepër e autorit Mark Tuein ka vëniet më të mëdha në Amerikë. Mesazhi: artistët janë të varfër, bëhen të pasur kur vdesin. Pra vdis të të duan. Vdis që të nderojnë. Vdis që të marrësh çmime”, tregon Hoti për veprën. Rolet në vepër do të interpretohen nga 11 aktorë. Mes tyre përmendim emrat e aktorëve si Gentian Zenelaj, Donald Shehu, Sokol Angjeli, Ligoraq Riza, Suela Konjari, etj. Komedia përshkruan situatat surreale në të cilat kalojnë artistët në përpjekjet e tyre për mbijetesë. Historia e piktorit Mije ngjan si dy pika uji me historitë e mijëra artistëve që luftojnë tërë jetën dhe shpesh arrijnë lavdinë vetëm pas vdekjes. Regjisori Andis Gjoni shprehet se ky anakronizëm është paraqitur shumë bukur në këtë komedi, ku personazhi kryesor paradoksalisht vendos të vdesë në mënyrë që të mund të jetojë. ““A vdiq ai?” është një komedi e shkruar me mjeshtëri, ngjarja shtjellohet lirshëm dhe me një humor të hollë. Autori në sajë të gjenialitetin e tij ka krijuar një perlë argëtuese që me situatat komike të paraqesë bukur jetën dhe vështirësitë e artistëve”, vijon regjisori Gjoni. Kjo është një komedi e karaktereve dhe sipas regjisorit të gjithë kanë rëndësinë e tyre. Andis Gjoni është djali i kompozitorit simon gjoni dhe pianists mira gjoni, që kësaj here shfaqet edhe si regjisor por realizon edhe skenografinë dhe kostumografinë e veprës që do vijë në Teatrin Kombëtar.